Milaim Gani Loku (5.5.1965 - 8.3.1999)

Milaim Gani Loku (5.5.1965 – 8.3.1999)

Milaimi lindi më 5 maj 1965, në fshatin Lumëbardh, ish-Kotlinë të Kaçanikut. Ishte djali i dytë me radhë nga dhjetë bijtë dhe bijat e prindërve: Gani e Bedrije Loku.
Mësimet fillestare i kreu në shkollën fillore “Naim Frashëri” në vendlindjen e tij, në Lumëbardh. Më pas kryen Gjimnazin “Skenderbeu “në Kaçanik. Ishte nxënës i sjellshëm, i zgjuar dhe i dalluar, sidomos në lëndën e matematikës. Pikërisht për këtë ai vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Matematikës, në Prishtinë.
Qysh i ri brumoset me ide atdhetare, i frymëzuar sidomos nga luftërat e hershme të kombit, sidomos nga qëndresa që kishte bërë Idriz Seferi në Grykën e Kaçanikut.
Pranvera e vitit 1981, Milaimin e gjeti gjimnazist në Kaçanik. Djalosh i ri me plot dëshirë dhe shpresë për jetë. Por shumë shpejt e kuptoi se ajo ishte vetëm një ëndërr që ëndërronin shumë shqiptarë liridashës të Kosovës. Ishin torturat, maltretimet, vrasjet e shqiptarëve liridashës që kreu regjimi titist në atë pranverë, kudo nëpër qytetet e Kosovës.
Milaimi edhe pse i ri, merr pjesë në demonstrata të cilat u zhvilluan në shumë vende të Kosovës si dhe në Kaçanik. Qysh atëherë ishte bindur se lufta për barazi e liri kombëtar ishte e gjatë dhe e mundimshme por e pashmangshme për të gjithë shqiptarët, të cilët Jugosllavinë e konsideronin okupatore.
Milaim Loku ka marrë pjesë në zhvillimet dhe aktivitetet atdhetare të lëvizjes së rezistencës pasive dhe aktive, qysh prej vitit 1989. Më vonë punoi si arsimtar në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Lumëbardh, në vendlindjen e tij, duke dhënë kontribut në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. Largimin e dhunshëm nga shkollat të nxënësve dhe studentëve shqiptarë nga regjimi serb i Millosheviqit, Milaimi e përjetoi rëndë.
Pas fillimit të luftës çlirimtare në Drenicë e Dukagjin, e posaçërisht në Gabrricë të Kaçanikut, më 10 gusht 1998, ku ranë heroikisht: komandanti, Agim Bajrami me bashkëluftëtarët: Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca, menjëherë bën përpjekje që të vë kontakte me pjesëtarët e UÇK-së. Këtë e arriti në dhjetor të vitit 1998, kur njësitet e Kaçanikut ishin kthyer nga lufta e Jezercit, për t’i vendosur pikat e luftës nëpër territoret e Kaçanikut.
Takimin e parë me pjesëtarët e UÇK-së e pati me 20 dhjetor 1998, në shtëpinë e tij, në fshatin Lumëbardh. Në atë takim kanë marr pjesë nga shtabi i Brigades 162 “Agim Bajrami”, komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi, zëvendësi i tij, Hajrush Kurtaj dhe bashkëluftëtarët Ilaz Ceka, Hajrush Luma, Zymer Luma, Mustafë Lika, Osman Burrniku, Muharrem Ahmetaj dhe Heset Loku. Më vonë, Milaimi i angazhoi edhe disa të rinj nga Lumbardhi, bashkëveprimtarë të tij, të cilët i kishte parapërgatitur për t’i inkuadruar në UÇK. Ata ishin: Cenë Loku, Nexhadi Kuçi, Adnan Loku, Emërllah Kuçi, Ismail Ismet Kuçi, Sali Bajram Gashi, Nexhadi Ferid Kuçi, Xhemajl Nuredin Kuçi, Sabit Garip Loku, Sabri Hamit Loku, Mahi Shabedin Loku, Izjah Ismet Loku dhe Cenë Ekrem Loku.
Pas armatosjes së këtyre ushtarëve, për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së kërkojnë edhe të rinjtë: Minah Kuçi, Sherif Kuçi, Danush Kuçi, Ismail Loku, Beran Loku, Naser Loku, Ibush Loku, Naser Loku dhe Ismet Loku. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, dhe në mungesë të armatimit mbetën të paarmatosur.
Si në vendet e tjera, ashtu edhe në Kaçanik e rrethinë, dolën djem trima sidomos pas ardhjes së njësitit nga Jezerci në Kaçanik, kur zgjerimi i radhëve dhe formimi i njësiteve të reja, u intensifikua edhe më shumë. Kështu, brenda një kohe të shkurtër u formuan njësite luftarake edhe në shumë fshatra si: në Ivajë, Gajre, Puset e Nikës dhe në Kotlinë.
Pas marrjes së detyrave nga Komanda e Brigadës, komandanti i Togut Milaim Loku, formoi njësitin e vet, me ushtarët: Eset Loku, Ismail Ismet Kuçi, Sali Bajram Vlashi, Nexhad Ferid Kuçi, Xhemajl Nuredin Kuçi, Sabit Garip Loku, Sabri Hamit Loku, Mahi Shabedin Loku, Izjah Ismet Loku, Cenë Ekrem Loku, Emërllah Kuçi, Jeton Kuçi si dhe Garip Loku, i cili kryente detyrat në vëzhgim.
Në mungesë të armatimit, nuk pati mundësi që të armatosin disa vullnetarë kryesisht të rinj, megjithatë, ata nuk u ndanë nga UÇK-ja dhe kryen shumë detyra si në vëzhgim, përcjellje dhe mbështetje në logjistikë. Ky njësit e kishte vështirë të punonte, sepse për fat të keq nga fshatrat Kotlinë dhe Ivajë, kishte shumë bashkëpunëtorë të armikut të strukturuar në sistemin e okupatorit dhe në shërbim të okupatorit, ddër të cilët ishin edhe Faik Reqi, Sefulla Mulaku, IsakLuta, Bashkim Loku, Rexhep Luta, Shaban Kuçi dhe Enver Rexha. Këta kolaboracionistë ishin të ngarkuar nga okupatori serb si informatorë dhe policë lokalë të Serbisë.
Edhe pse në kushte të vështira, toga e Milaim Lokut kontribut të madh kishte dhënë, më 26 shkurt 1999, gjatë luftimeve te Puset e Nikës, ku nuk kishte lejuar depërtimin e forcave të armikut nga Kotlina në Puset e Nikës. Gjithashtu duke qëndruar të fortë në pozicionet e veta në Kotlinë, nuk kishte lejuar që forcat serbe, përmes lagjes Laçi, të depërtojnë në Gajre, ku me 28 shkurt 1999 u zhvillua një betejë e ashpër. Në këtë betejë, nga radhët e forcave serbe mbeten të vrarë: Komandanti i Policisë serbe në Kaçanik, i quajtur “Bogi” dhe dhjetëra policë e ushtarë serbë, kurse shumë të tjerë u plagosën. Nga teknika, okupatorit iu shkatërrua një autoblindë një pizgauer dhe një automjet i policisë. Nga forcat e UÇK-ë ra heroikisht komandanti i Togës së Parë, Hetem Hasaj, ndërsa u plagosën; Naser Hasaj, Bekim Vishi dhe Ekrem Ahmetaj. Nga radhët e popullatës civile u plagos plaku 75 – vjeçar, Fejzullah Qallaku, i cili ishte tërë kohën në ndihmë ushtarëve të UÇK-së, ndërsa nga snajperistët serbë u vra plaku 65 – vjeçar, Rrustem Qallaku. Kontribut të madh kishte dhënë edhe në luftimet e 8 marsit, ku nuk kishte lejuar depërtimin e forcave të armikut në drejtim të fshatit Ivajë, përmes Kotlinës. Pas një lufte të ashpër, që u bë më 8 mars 1999 në Ivajë dhe humbjeve që pësoi armiku më 9 mars, vazhduan luftimet në drejtim të fshatit Kotlinë, ku pas një lufte heroike ra në krye të detyrës, komandanti i Togës, Milaim Loku dhe bashkëluftëtari i tij, Emërllah Kuçi.
Përkushtimin e dëshmorit Milaim Loku e dëshmon edhe fragmenti që kishte shkruar në ditarin e tij, kushtuar shokut të tij të idealit pas rënies, dëshmorit, Ismajl Raka: “Re si burrë duke u martirizuar, por nuk do të vdesësh kurrë për popullin tënd, për Kaçanikun dhe Kosovën. Rrugën tënde për liri do ta vazhdojmë deri në fitore. Lavdi të qoftë o Ismajl Raka”.
Duke qenë se popullata civile ishte vënë në rrethim të forcave masakruese serbe, Milaimi me bashkëluftëtarë të tij ndihmon në evakuimin e popullatës, e cila nga fshati Kotlinë dhe Ivajë vendoset nëpër male.
Më 8 mars 1999, forcat serbe kishin vënë në rrethin të hekurt shumë nga pozicionet e luftëtarëve të lirisë, sidomos në fshatrat Ivaj, Kotlinë, Strazhë dhe Gajre. Pas luftimeve të ashpra, trupat serbe kishin depërtuar në fshatin Ivajë. Breshëria e armëve nga të dyja palët nuk pushoi tërë ditën dhe natën.
Komandant Milaimi me bashkëluftëtarin e tij, Emërllah Kuçin kishte marrë përsipër t’i vëzhgojë lëvizjet e mundshme të forcave serbe, të cilat po nga Glloboqica dhe Ivaja po bënin përpjekje të depërtonin në drejtim të Kotlinës.
Më 9 mars 1999 Milaimi dhe Emërllahu ndodhen duke vëzhguar dhe duke bërë pastrimin e terrenit në Kotlinë. Ndërkohë, forcat serbe hetojnë vendin ku po vëzhgonin dy luftëtarët e UÇK-së dhe fillojnë të derdhin breshëri plumbash në drejtim të tyre, me predha nga armë të ndryshme. Në luftë e sipër bien në altarin e lirisë. Trupin e Milaimi Lokut dhe atë të Emerllah Kuçit, i gjen vëllai i Milaimit, Hazbiu me disa bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë. Ata, ndërkohë arrijnë t’i tërheqin dhe më 18 mars 1999 i varrosin në varrezat e fshatit.
Pas luftës, me nderime ushtarake bëhet rivarrimi i këtyre dy dëshmorëve në Varrezat e Dëshmorëve, në Kaçanik.
Milaim Loku ka qenë i martuar me Lumnije Mulakun nga fshati Gajre. Në jetën e tij bashkëshortore me Lumnijen, la pas fëmijët: Blerinën, Elmirën, Djellzën dhe Qëndresën, e cila ka lindur pas rënies së babait dëshmor, më 11 maj 1999. Ka lënë edhe prindërit Ganiun dhe nënën Bedrijen, vallezërit: Hazbiun, Naserin, Metushin si dhe motrat: Nurien, Hatixhen, Luljetën, Florien dhe Teutën.
Në njëvjetorin e rënies së dëshmorit Milaim Loku, në nderim dhe përkujtim të tij, e të bashkëluftëtarit të tij, Emërllah Kuçi, atyre u është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Kotlinë. Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit, Milaim Loku, familjes së tij i ka dhënë mirënjohje SHP i UÇK-së, Zona e Neredimes, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Kuvendi Komunal i Kaçanikut, Drejtoria e Arsimit në Kaçanik dhe Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Për veprën heroike të këtij dëshmori ka shkruar Kolonel Hajrush Kurtaj në librin “Shungullon Gryka e Kaçanikut”. Një shkrim është botuar në librin “Në kërkim të dijës dhe lirisë”. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …