Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se makineria e Serbisë ka qenë e përgatitur për ta provokuar konfliktin e armatosur në veri të Kosovës dhe kanë pritur se do të ndodhte. Por, sipas tij, atë e evitoi në momentin e fundit ndërhyrja e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier. Ai në një postim të tij ka theksuar se konflikti në Kosovë është projekt aktual i Serbisë dhe Rusisë. Profesori, Milazim Krasniqi ka hedhur akuza edhe kundër kryeministrit Albin Kurti, për të cilin ka thënë se kjo është hera e dytë që qeveria e tij po e sjellë vendin në buzë të konfliktit për tabelat e veturave. Ky është aventurizëm i rrezikshëm. Nuk e di a nga padituria a nga ndonjë agjendë okulte, por i rrezikshëm në të dyja rastet. Prandaj për çdo qytetar të këtij vendi kjo politikë duhet të paraqesë shqetësim. Më së shumti për ata që e kanë votuar këtë qeveri, me shpresë për të ardhme më të mirë, e jo për të luajtur lojëra “luftas” brenda oborrit tonë, sipas skemave serbo-ruse, ka shkruar mes tjerash profesori, Milazim Krasniqi.