Militant Plakolli u lind në vitin 1995 në qytetin e Besianës, ish -Podujevës. Ai është i diplomuar në Departamentin e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Militanti ka qenë një aktivist, vullnetar si dhe participues në aktivitete dhe konferenca të shumta politike e sociale në nivel lokal dhe nacional. Poashtu, ai ka një mori trajnimesh të kryera në lobim, organizim, menaxhim, avokim, komunikim dhe ambientalizëm.
Kontributi i tij i gjatë në OJQ “EKOVIZIONI”, pastaj trajnimet e ndjekura nën ombrellën e “Lëvizja Fol”, janë disa prej aktiviteteve kryesore, që e përmbledhin një dekadë punë intensive në përgatitjen profesionale. Natyra e studimit ka bërë që ai të ketë pasion për kolumnën dhe analizën politike, veçanërisht për opinionet në kuadër të realpolitikës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Aktualisht, Militant Plakolli është në prag të përfundimit të studimeve të nivelit master në Kolegjin AAB, në Departamentin Administratë Publike dhe Diplomaci.
Si e përkufizoni globalizmin dhe e ardhmja e tij?
Janë disa faktorë që definicionin e globalizmit e kanë bërë sa të vështirë po aq edhe delikat për të pasur një përkufizim të qartë dhe shpjegues në forma mirëfilli në lidhje me këtë fenomen të integrimit të shoqërisë botërore. Disa prej tyre kanë të bëjnë me aftësitë dhe kapacitetet e shoqërive dhe shteteve kombëtare për të komunikuar, bashkëpunuar dhe për të ndërvepruar në sajë të interesit të përbashkët politik, ekonomik, social e kulturor dhe teknologjik e ushtarak, duke u bashkuar në vlera të përbashkëta dhe universale.
Së pari globalizmi ka krijuar urat e mëdha që kanë mundësuar që shoqëritë dhe shtetet kombëtare të ndërlidhen me njëra-tjetrën. Së dyti ka mundësuar që shtetet të shkëmbjenë e të gërshetojnë ndërmjet vete jo vetëm idetë, kulturat, përvojat dhe njohuritë, por poashtu edhe të gjitha të mirat materiale dhe ekonomike. Kjo për arsye si potencial i përbashkët për të arritur deri te synimet dhe qëllimet që duhen të realizohen, si një megakontribut për interesin qytetar, shtetëror dhe global, për një botë idealiste. Natyrisht, se nën këto ura të mëdha bashkëpunimi global, rrjedhin rrëmbyeshëm interesat e superfuqive botërore, që gërryejnë interesin global dhe shtyjnë përpara interesin e tyre kombëtar nëpërmjet forcës politike, ekonomike dhe ushtarake.
E ardhmja e globalizmit varet nga ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike që po bëhen dita ditës në arenën ndërkombëtare. Pra, të ardhmen e tij e përcakton rrijta e një superfuqie botërore dhe rënia e një tjetre. Meqë, bota nuk ka një qeveri botërore që të mbrojë një interes global, atëherë rendi dhe rregulli i saj, me gjithë të drejtën ndërkombëtare, është një anarki e plotë, ku forca politike dhe ekonomike e kombinuar me atë ushtarake vendos dhe përcakton rregullat e lojës dhe pse jo edhe rendin e ri botëror. Në këtë aspekt, globalizmi vetëm sa transformohet nga një ndikim në ndikimin tjetër. Megjithëkëtë, mund të themi se e ardhmja e globalizmit qëndron në prishjen ose në vazhdimin e balancës politike, ekonomike dhe ushtarake të superfuqive globale. Mendoj se globalizmi në secilën kohë dhe rrethanë ka një të ardhme, cilado qoftë ajo.
Si po ndikon globalizmi në Kosovë dhe si e shikoni të ardhmen e vendit?
Republika e Kosovës si një shtet i ri nuk ka se si të mos preket nga efekti i globalizmit. Kosova është në përpjekje të vazhdueshme për të konsoliduar shtetin ligjor dhe për të avansuar demokracinë e brendshme, e orientuar fuqishëm në integrimet evroatlantike. Ndikimet janë të jashtëzakonshme, sepse gjysma e popullsisë të vendit i përket moshës së re, e cila ka energji dhe potencial të madh, sidomos në fushën e telekomunikimeve, në dimensionet sportive dhe ato kulturore.
Konkretisht, nga ana e diplomacisë publike me talentin e tyre, rinia kanë arritur t’i sigurojnë një imazh të ri të shkëlqyshëm për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por, mundësitë prej të vërteti janë akoma të kufizuara dhe ndonjëherë nuk ekzoistojnë fare. Republika e Kosovës qysh herët ka përqafuar vlerat më sublime të demokracisë dhe ka qenë e mbështetur dhe e lidhur ngushtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unionin Evropian. Influencë e cila ka mundësuar që vendi të jetë më afër vlerave demokratike dhe liberale, që tashmë veçse i duhet t’i forcojë dhe t’i shtyjë ato drejt integrimeve evroatlantike. Liberalizmi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë ndër synimet kryesore të Kosovës. Një hapje e tillë, me mundësi lëvizjeje dhe qarkullimi për qytetarët do ishte një dritare e re mundësie për Kosovën.
Cilat janë disa nga sfidat e globalizmit?
Globalizmi është një proces dhe natyrisht se një proces evoluon dhe çdo gjë që evoluon ndryshon në dukje, por asnjëherë në substancë. Për të ndryshuar në dukje globalizmi, fillimisht duhet të sfidohet dhe kur sfidohet, prishen balancat e rendit botëror. Por globlizmi gjen prehjen në transformimin e tij dhe në përshtatjen ndaj rrethanave që i vihen para vetës pavarësisht se cila fuqi është në ardhje, qoftë politike apo ekonomike. Lufta e Ftohtë, terrorizmi dhe recesionet e vazhdueshme ekonomike, që nga viti 2008 e tutje ishin disa prej sfidave serioze për globalizmin që akoma janë të pranishme, në forma të ndryshme.
Pandemia Covid-19 ishte sfida më e madhe e globalizmit në 30 vitet e fundit. Kjo bëri që shtetet kombëtare të kthejnë rëndësinë e tyre dhe të kenë mbi vete vetëm vendosmërinë e tyre për të ruajtur interesin e tyre kombëtar, kundrejt atij interesit global. Jashtë çdo qasje globaliste, shtetet kombëtare kthyen rëndësinë e tyre, filluan të mbyllën, të shtrëngojnë kufinjtë dhe jo shumë kohë më tutje filloi edhe gara e prodhimit të vaksinave, që mund të kujtonte garën hapsinore në Luftën e Ftohtë. Intresi kombëtar, rritja e apetiteve të superfuqive botërore për dominim dhe ndikim si rënia e një fuqie dhe ngritja e një tjetre e sfidojnë edhe më shumë globalizmin e prirë për të ndryshuar në saje të rrethanave politike dhe ekonomike që i servohen përpara.
Në lidhje me transformimin e globalizmit, si e shikoni efektin e këtij fenomeni në nivelin lokal, rajonal dhe global?
Krizat nëpër të cilat po kalon globalizmi nuk janë fundi i tij, por janë fillimi i një ri-strukturimi ndërkombëtar. Përderisa, pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën si fuqia e vetme në rendin botëror, sot gjendja në sistemin ndërkombëtar nuk i takon forcës unilaterale. Një rritje e hatashme ekonomike dhe ushtarake e Kinës e kombinuar në distancë me forcën politike dhe ushtarake ruse, kanë bërë që sistemi ndërkombëtar të pësoi një qarje. Nga e cila çdo ditë e më shumë po vjen aromë përplasjeje, një aromë e një transfomimi global.
Ashtu siç parashihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore do të jenë në një aleancë kontinuale, që do të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, për të ulur rrezikun e sigurisë dhe ndikimin politik dhe ekonomik të Kinës dhe të Rusisë. Integrimi evropian i Rumanisë dhe Bullgarisë në Unionin Evropian është një sinjal i qartë se integrimi evropian i dy këtyre shteteve pa plotësuar kriteret e nevojshme, ishte për qëllime gjeostrategjike, për të mbyllur një korridor jo vetëm ideologjik, por edhe një korridor territorial/fizik të Rusisë me Ballkanin.
Gjithashtu, integrimi i shumicës së vendeve të Ballkanit në NATO, ka bërë që paktën siguria të jetë në nivele të qëndrueshme, edhe pse problem serioz mbetet aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara që të frenojnë rritjen ekonomike të Kinës dhe të ndërprejnë rolin dhe ndikimin e saj të dhunshëm në Detin e Kinës Jugore, duke mbajtur poashtu nën kontroll edhe tendencat ruse për ekspansione eventuale përgjatë Evropës Lindore. Në anën tjetër kemi të bëjmë me rënien e niveleve të demokracive dhe rritjen e sistemeve autoritare nëpër botë, që kanë për qëllim zvogëlimin e rolit perëndimor në rrjetin e ndikimit global.
Gjithashtu, kemi mbi 9 vende që kanë armatim nuklear dhe që disa prej tyre kanë armiqësi të mëdha me fqinjtë e tyre (vetëm para pak jave pothujase u ndeshën forcat britanike dhe ato franceze për ca anije peshkimi, dy aleatë që ndajnë të përbashkëta e aleancë politike e ushtarake për më shumë se nje shekull – pastaj llogarite se çfarë mund të bëjë Koreja e Veriut (komuniste) kundrejt asaj të Jugut (demokratike)?).
Po roli i globalizmit dhe integrimit në BE?
Globalizmi është dëshmuar kaherë për rolin e tij pozitiv në shoqërinë botërore, por gjithashtu është dëshmuar edhe për larminë e llojeve të tij, përshtatur në bazë të rrethanave dhe kushteve sociale dhe kulturore që kanë popujt. Unioni Evropian ka mposhtur kompleksin dhe inferioritetin e vetë evropianëve kundrejt të tjerëve. Unioni Evropian është një prej formave më unike jo vetëm për nga organizimi dhe funksionimi i tij, por edhe për nga ana e shpërfaqjes të një niveli krejt tjetër të një formë të paparë të globalizmit deri më sot. Kjo formë e globalizmit e udhëhequr nga Unioni Evropian ka rritur ndjeshëm rolin demokratik e liberal, duke e përafruar edhe më shumë me shtetet e tjera kombëtare rreth vlerave universale të bashkuar në diversitet.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor, papërjashtim, të gjitha janë të interesuara dhe kanë shfaqur haptazi dëshirën e tyre për integrim në Unionin Evropian. Po ky lloj globalizmi nuk është i interesuar vetëm për dëshirën integruese, por që të gjitha këto që kanë një të ardhme të qartë evropiane, duhet të punojnë në fuqizimin e dmokracisë dhe në shtetin ligjor, me një ekonomi stabile dhe me ligje të përshtatura me Unionin Evropian, që të kenë një integrim të shpejtë dhe të fitojnë sa më shumë nga të qenurit pjesë e një superstrukture shoqërore e supranacionale sikurse që është Unioni Evropian.
Përgatiti: E.B., Nju Jork