Serbi i njohur për dhunë dhe vrasje Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Ai e ka bërë këtë deklaratë të premten përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun, nga Beogradi. Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues. “Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time politike”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
