Migjeni

Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911 – 1938)

Një jetë e shkurtër e një poeti e prozatori që la një emër të madh në letrat shqipe!

Migjeni iku nga kjo botë shumë i ri, megjithatë ai na la një vepër të pasur e shumë përmbajtjesore në fushën e krijimtarisë letrare ku kritikët e shumtë edhe sot e kësaj dite thonë dhe padyshim se kanë edhe shumë për të thënë për krijimtarinë e Migjenit tonë të madh.

I lindur në Shkodër, pas mbarimit të shkollimit fillor në vendlindje dhe atij të mesëm në Manastir, filloi punën si mësues në fshatin Vrrakë. Për aq sa kemi të dhëna, Migjeni aty edhe i filloi shkrimet e para të krijimtarisë së tij letrare. Saktësisht nuk dihet së kur filloi të krijojë, por që dihet se me 1935 e transferuan në Shkodër ku poeti bëri gati për shtyp “Vargjet e lira” të cilat censura e Mbretit Zog nuk i lejoi të qarkullonin?! Në pranverën e vitit 1936 Migjenin e transferuan në pjesën veriore të Shqipërisë, në qytetin e vogël të Pukës, si kryemësues. Atje Migjeni njohu jetën e vështirë të malësorit që zuri vend në prozën e tij. Po në këtë kohë në Korçë, filloi të botohej revista përparimtare “Bota e re” me të cilën Migjeni filloi bashkëpunimin, i cili do të zgjaste për një kohë bukur të gjatë. Veprimtaria letrare e Migjenit përmblidhet kryesisht në mes viteve 1934- 1937. Në kohën kur Migjeni ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, atë e rëndon sëmundja e rëndë e tuberkulozit, nga kthetrat e së cilës nuk shpëtoi dot. Ai vdiq në Tore Peliçe, në një spital të Italisë, në një moshë fare të re duke iu ndërprerë rruga e jetës, por edhe rruga e krijimtarisë në mes. Migjeni shkroi „Vargjet e lira“ të papërsëritshme deri më sot për nga thellësia e mendimit filozofik dhe shpirtëror, gjithnjë i solidarizuar me shtresën e vuajtur të popullit tonë, prej nga edhe buronin vargjet e dhimbjeve të mëdha të asaj kohe. Veç poezisë, Migjeni shkroi edhe në prozë, krijime këto të cilat në letërsinë shqipe zënë një vend meritor të veçantë dhe të padiskutueshëm.

Me vdekjen e Migjenit letërsia jonë pësoi një humbje të pazëvendësueshme, por që në gjirin e saj mbanë me krenari emrin e madh të krijuesit të shkëlqyer siç ishte ai.

Krijimtaria e Migjenit është bërë objekt i rëndësishëm i kritikës, shkencës dhe studimit letrar. Ai ka hyrë në kulturën dhe mendimin shoqëror si një ndër më të shquarit krijues së fjalës dhe mendimit të shkruar në letrat shqipe. Kjo krijimtari, përfshinë një gamë të madhe me ndikim në kulturën, arsimin dhe ngritjen tonë kombëtare në përgjithësi në raport me kohën kur Migjeni krijoi. Ai ishte dhe mbeti, prijës dhe pishtar i kulturës dhe krijimtarisë letrare që një ditë do të prezantohej në konkurrencën e fortë të krijimtarisë letrare, madje edhe përtej kufijve rajonalë të cilët shumë rrallë i njeh arti dhe kultura e mirëfilltë.

Krijimtaria letrare e Migjenit, nuk ka nevojë as për spekulime filozofike e estetizante, as për tejvlerësimet sociologjike vulgare, që pretendonin të mbulonin kufizimet subjektive në art. Ai nuk qasi denigrimet e idolatorinë e qëllimtë, e cila pretendonte krejt njëanshëm që atë ta radhittë në mesin e krijuesve të rëndomtë e të papërfillshëm. Prapa kësaj dinakërie fshihej kurthi i politikës së asaj kohe me qëllimin e vetëm që Migjenin ta zhvlerësonin nga vlerat ideoestetike, por edhe realiste e të guximshme lidhur fortë me shpirtin e tij kryengritës e atdhedashës, për të luftuar me çdo kusht dobësitë e një shoqërie mbretërore që Shqipërinë e kishte katandisur aq keq në shumë sfera të jetës, pra edhe në atë të krijimtarisë.

Noli i madh, për Migjenin kishte thënë: “ Nuk duam që ta mbiçmojmë në një piedestal të paqenë, duke e mënjanuar kështu nga tabani ynë historik e kombëtar”. Shpirti i tij luftarak e human, kurrë nuk u pajtua me gjendjen e rëndë që po zotëronte në Shqipëri nën sundimin e Mbretërisë zogolliane”. Kështu që ai me “ Poemën e Mjerimit “ godet rëndë mbretërinë dhe çifligarët, duke ngritur një aktakuzë të fuqishme përmes kësaj poeme mbi gjendjen e mjerueshme politike, ekonomike dhe shoqërore të kohës në Shqipëri e gjithë andej! Migjeni ndau dhimbjet dhe vuajtjet së bashku me malësorin e uritur, u fut nëpër kasollet e tyre të ftohta me plotë lagështi, hapi magjet e tyre të zbraza pa kokrrën e misrit, mbathi në shpirtin e tij tullumbat e Lulit, në shpirtin e tij ndjeu vrasjen e shpirtit të malësores dhe me këtë shpirt të vrarë e të trazuar, zbriti në qytet duke e ngritur zërin e protestës deri në kulm kundër këtyre ndrydhjeve dhe shfrytëzimeve me këngët e tija, si një shpërthim lulesh në pranverë me një aromë të re në kopshtin e krijimtarisë së tij letrare të papërsëritshme ndonjë herë më parë!

Krijimtaria letrare artistike e Migjenit është përkthyer në disa gjuhë të botës; si në gjuhën angleze, franceze, italiane, ruse, rumune, bullgare, serbe, kroate etj. Kritikë dhe studiues të huaj, vlerësojnë më nota shumë të larta krijimtarinë e Migjenit.

Nikolaj Moraur, shkrimtar rumun, thotë: “ Kam qarë kur kam lexuar Migjenin. Nuk më vjen turp kur them se qava, por më vjen turp të them që kaq vonë e njoha këtë poet të mrekullueshëm !”…

Alen Boske, shkrimtar dhe kritik frëng thotë: ”Migjeni ishte poeti më i madh i viteve të tridhjeta, kur kemi para sysh një jetë krijimtarie kaq të shkurtër!”…

Migjeni në krijimtarinë e vet me tërë qenien e tij shpirtërore, pasqyroi në mënyrën më realiste kushtet e pabarazisë shoqërore të kohës, katandisur me një gjendje të mjerueshme të masave popullore të zhytura në mjerim e pa dituri, prandaj Migjenin e quajtën edhe “poet i mjerimit”! Jeta e tij e shkurtër që filloi më 30 shtator 1911 dhe përfundoi më 26 gusht 1938, ishte jetë e një poeti e prozatori të papërsëritshëm në historinë e letërsisë sonë shqiptare, duke na lënë pas veprat e tij shumë të bujshme për kohën e si të tilla mbesin edhe në ditët e sotme me tërë peshën dhe filozofinë e tyre të fuqishme.

 

Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …