Ministri për Transportin dhe Çështjet Detare i Republikës së Malit të Zi z. Ivan Brajoniviç, ministri i Infrastrukturës të Republikës së Kosovës Z. Lutfi Zharku dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Republikës së Shqipërisë, Z. Edmond Haxhinasto, u takuan të premten më datë 6 maj 2016, në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri, për të koordinuar punën mbi planin e përbashkët të veprimit të vendeve respektive, në kuadër të forcimit të konektivitetit ne vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmes zbatimit të një sërë masash afatshkurtëra dhe të arritshme, në mënyrë që të garantohet zhvillimi i një Samiti produktiv i nivelit të lartë, që do të zhvillohet në 4 Korrik në Paris, si pjesë e Procesit të Berlinit. Gjatë takimit të zhvilluar në Shkodër, palët ranë dakord që të angazhohen për të bërë përpjekje të menjëhershme në mënyrë që të ndikojnë në rrëzimin e barrierave jo-fizike të njohura si “masa të buta”, një element kyç dhe pa efekte financiare, për të përmirësuar e zhvilluar lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Këto masa trajtojnë dy çështje kryesore, hapjen e tregut të transportit dhe krijimin e një sistemi konkurues, të besueshëm dhe të sigurt të transportit. Ndër masat e buta kombëtare, pala shqiptare dhe ajo malazeze, u angazhuan për nënshkrimin e katër protokolleve zyrtare të bashkëpunimit midis institucioneve të dy vendeve, përpara Samitit të Parisit. Pjesë e axhendës së Ministrave ishte gjithashtu edhe nisma “One stop shop”, një model suksesi i cili është aplikuar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë disa vjet më parë, e cila unifikon kufijtë e të dy vendeve në një të vetëm, duke reduktuar proçedurat në kufi për biznesin dhe udhëtarët. Palët treguan angazhimin e tyre për të zgjeruar aplikimin e këtij modeli me Kosovën, Maqedoninë dhe për të kërkuar së bashku të asistencën e Bashkimit Europina, për të aplikuar këtë model në të gjithë vendet anëtare të WB6. Kjo nismë, në takimet e mëparshme të zhvilluara, ka gjetur mbështetjen e Komisioneres për Transportin Violeta Bulc dhe të Komisionerit të Zgjerimit Johanes Han. Traktati i Komunitetit të Transportit, në përputhje me kërkesat e Komunitetit Europian, ishte një tjetër rezultat i këtij takimi informal, në të cilën palët u angazhuan për finalizimin dhe nënshkrimin e tij sa më shpejt, në mënyrë që drafti finali i tij të jetë gati përpara datës 4 Korrik, kur do të mbahet Samiti në Paris. Palët gjithashtu diskutuan edhe për nevojën e një mekanizmi rajonal koordinues, në mënyrë që të bëjë të mundur përshpejtimin e mëtejshëm të punës për zbatimin e objektivave të Samitit të Vjenës dhe mobilizimin e investimeve për core network projects.