Ministrat Kujtim Gashi dhe Mirela Kumbaro pajtohen të sjellin eksponatet e Isa Boletinit në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, qëndroi në Tiranë për të realizuar vizitën e tij të parë zyrtare, me ç’rast ka takuar homologen e tij, Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi. Ministri Gashi gjatë takimit me Ministren Kumabaro ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve. Ndër temat konkrete të bashkëpunimit të dy ministrive të kulturës asaj të Kosovës dhe  Shqipërisë për vitin 2018 u nënvizua nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt. Marrë parasysh që viti 2018 është shpallur edhe Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, dy ministrat u pajtuan që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi për shqiptarët. Ministri Gashi, me këtë rast, ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin heroit kombëtar Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, që do të hapet më 17 Shkurt – Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ekspozimi i gjërave që i përkasin Isa Boletinit në Muzeun e Kosovës është një ngjarje me rëndësi për kulturën dhe historinë tonë, meqë kjo është një dëshmi që personalitetet nga Kosova kanë dhënë shumë për çështjen kombëtare. Ministri Gashi ka shtuar: “Biseduam, po ashtu, rreth aktiviteteve të përbashkëta që do t’i kemi edhe me shënimin e 10-vjetorit të vitit jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, për çka kërkova që të kemi dhe aktivitete të përbashkëta Kosovë-Shqipëri”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se fokus i diskutimit me homologun e tij kosovar ishte përgatitja për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë; si dhe diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve. Ministri Gashi, gjatë ditës ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” si dhe ka takuar drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …