MINISTRI BYTYQI HAPI PUNIMET E SEMINARIT TË XIV-TË MBARËKOMBËTAR PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së punimeve të Seminarit të XIV-të mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, i cili ka filluar në Tiranë dhe do t’i zhvillojë punimet deri më 3 gusht 2018. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së Kosovës. Me këtë rast, Ministri Bytyqi ka falënderuar mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, angazhimin e palodhshëm ndër vite, për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës dhe kujtesës sonë kombëtare në mendjet e të rinjve tanë në mërgatë. “Diaspora ishte një mbështetëse e fuqishme e popullit tonë në kohë tëvështira, por misioni i juaj si mësimdhënës është përtej kësaj, është përtej angazhimeve tuaja të përditshme, përtej një kontrate normale punëdhënës-punëmarrës, është mision i shenjtë e fisnik në shërbim të të rinjve, në shërbim të atdheut. Ju po ndihmoni kultivimin e gjuhës sonë të çmuar,ruajtjen e kulturës dhe traditës sonë kudo që jeni, andaj e meritoni respektin dhe mbështetjen tonë institucionale”, tha ministri Bytyqi. Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se është hartuar kurrikula e përbashkët për mësimin plotësues në diasporë, ndërsa MAShT ka hartuar dhe ndanë falas edhe tekste shkollore për diasporë(seti prej 19 teksteve të veçanta/2010). Ministri Bytyqi, tha se më se gjysma e substancës kombëtare jeton jashtë vendit, andaj theksoi se mbështetja për punën që bëjnë mësimdhënësit në diasporë është shumë e nevojshme. Në këtë kontekst, ministri Bytyqi theksoi nevojën e certifikimit të mësimdhënësve kudo që ata punojnë, ndërsa përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta ndërministrore në Korçë, me të cilat parashihet financimi i mësimit plotësues dhe që duhet të jetësohen në të ardhmen. Ndryshe, ky Seminar ka për qëllim këmbimin e përvojave të mira të mësimdhënies nga vende të ndryshme të botës, ndërsa gjatë këtyre ditëve sa do të zgjasë seminari,do të paraqiten kumtesa me tema të ndryshme si:Metodologji të mësimdhënies dhe teori të të nxënit për nxënësit që jetojnë në diasporën shqiptare, Prezantimi i dokumentit “Kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë”, Mësuesit në shkollat e komunitetit shqiptar,profili dhe sfidat me të cilat ballafaqohen”, dhe tema të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Homazhe në nderim të heroit të kombit Salih Çekaj në Deçan dhe heroit Shefqet Mustafaj në Gllogjan

Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj përmes një postimi në facebook, ka njoftuar …