leoni

MINISTRI BYTYQI: JANË BËRË TË GJITHA PËRGATITJET PËR FILLIM TË MBARË TË VITIT TË RI SHKOLLOR

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka thënë se, MAShT ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit shkollor 2018/2019, ndërsa ka theksuar se Ministria do të vazhdojë të jetë afër Drejtorive Komunale të Arsimit dhe shkollave gjatë tërë vitit, në mënyrë që problemet eventuale të zgjidhen me kohë. Në një konferencë për media, ministri Bytyqi, fillimisht ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë, në mënyrë që nxënësve t’iu ofrohen dije dhe shkathtësi të nevojshme për të ardhmen e tyre dhe të vendit. Duke folur për përgatitjet që ka bërë MAShT për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Bytyqi, ndër të tjera, përmendi punën që është bërë në përmirësimin e infrastrukturës nëpër shkollat tona dhe ndërtimin e disa shkollave të reja. Ministri tha se është punuar edhe në infrastrukturën ligjore, ku veçoi hyrjen në fuqi të Ligjit për Inpektoratin e Arsimit, për të cilin tha se do të hapë rrugë për një prani më të madhe të inspektoratit të arsimit në sistemin arsimor. “Kjo është një mundësi e mirë, sepse tashmë kemi paralajmëruar se në shtator do të fillojë edhe matja e performancës së mësimdhënësve dhe ligji i ri do të na krijojnë lehtësira në fillimin e këtij procesi”, tha ai. Ministri Bytyqi theksoi se është duke u punuar edhe në Ligjin për tekste dhe mjete mësimore, që do të ndihmojë që të kemi tekste të reja dhe në përputhje me standardet e nevojshme. Ndërsa, Ministri përmendi edhe faktin se pas përpjekjeve që ka bërë MAShT, gjatë këtij viti do të ketë shtesë në sistemin arsimor edhe 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Ministri Bytyqi tha se, është duke vazhduar puna me programet lëndore për të gjitha klasat, ndërsa është bërë thirrja publike për tekstet e reja shkollore për nivelin 0, 6 , 8 dhe 10, dhe për pjesën e dytë do të bëhet shpallja këtë muaj për klasat 2, 7 dhe 11. Po ashtu, ai theksoi se nuk është lanë anash edhe arsimi për komunitetet dhe përmendi se janë përgatitur programet lëndore për gjuhën boshnjake. Ministri vlerësoi se sivjet është bërë një përgatitje e kënaqshme, pavarësisht që ka pasur disa pengesa në fillimin e vitit të ri shkollor në disa shkolla. “Janë 11 shkolla në tërë Kosovën, sipas informatave që kemi, ku sot nuk do të fillojë mësimi për shkak të disa vonesave në përfundimin e punëve në renovimin e shkollave’, tha ai. Po ashtu, Ministri Bytyqi përmendi edhe se është bërë shpërndarja falas e teksteve shkollore nga klasa 1 deri 9 dhe deri më tani (pa përfshirë ditën e sotme), janë shpërndarë tekstet në 15 komuna, ndsa pritet që deri më 6 shtator të përfundojë shpërndarja në të gjitha komunat. Në fund, ministri Bytyqi foli edhe për Testin e Maturës, për të cilin tha se është arritur synimi për të pasur një rezultat real, ndërsa paralajmëroi hapjen e debatit publik për qasjen ndaj Testit të Maturës dhe mënyrës se si do të trajtohet më tutje ky proces i vlerësimit të nxënësve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …