MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË 70 VJETORIN E THEMELIMIT TË SHKOLLËS “HASAN PRISHTINA” NË TËRPEZË TË MALISHEVËS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në ceremoninë festive të 70 vjetorit të themelimit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Hasan Prishtina” në Tërpezë të Malishevës. Fillimisht, ministri Bytyqi është pritur nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe udhëheqës tjerë  të qeverisjes lokale, me të cilët bisedoi për arsimin në këtë komunë, të arriturat dhe vështirësitë. Ndërsa, në ceremoninë e 70 vjetorit të shkollës “Hasan Prishtina”, ministri Bytyqi, me këtë rast, ua uroi nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe gjithë komunitetit këtë ditë dhe theksoi se kjo shkollë me kaq shumë vite punë dhe me një emër të madh, vazhdimisht ka qenë një vatër e edukimit të të rinjve, një vatër që ka nxjerrë kuadro që më vonë kanë kontribuar në shumë aspekte të zhvillimit. Ministri theksoi se ajo sakrificë e mësimdhënësve tanë, pa e përjashtuar edhe angazhimin e prindërve dhe nxënësve, ka bërë që sot të jemi në një formë të re të edukimit të brezave të rinj për një të ardhme të re. Ministri Bytyqi tha se vendi ynë ka nevojë për energji të reja, për dije të re, pra ka nevojë për një rini të edukuar mirë dhe të shëndetshme. Prandaj kërkoi nga nxënësit që ta bëjnë maksimumin, që të marrin dije në këtë shkollë dhe ta shfrytëzojnë këtë dije edhe për zhvillimin e vendit tonë. Ndërsa, mësimdhënësit i porositi që të vazhdojnë t’i edukojnë sa më mirë të rinjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …