MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË PUNËTORINË “INSPEKTORATI I ARSIMIT NË KOSOVË – GJENDJA E TANISHME DHE ZHVILLIMI I MËTEJSHËM“

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të punëtorisë “Inspektorati i Arsimit në Kosovë – Gjendja e tanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm“, e organizuar nga MAShT në bashkëpunim me GIZ-in. Ministri Bytyqi, me këtë rast, falënderoi GIZ-in që po jep një kontribut të madh në shumë procese që sistemi arsimor të jetë në një stad tjetër për të cilin po synohet, ndërsa vlerësoi se kjo është një punëtori shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Ministri theksoi se, ne vazhdimisht po flasim për atë se si t’i qasemi situatës në shkollat tona dhe Ligji i ri për Inspektoratin dhe vet institucioni i Inspektoratit do të luante një rol kyç në synimet për ta ndryshuar gjendjen. Ministri Bytyqi tha se gjendja nëpër shkollat tona nuk është në nivelin se çfarë do të dëshironim ta kemi dhe në këtë drejtim përmendi edhe rezultatet e testit PISA 2015. “Ne do të shohim bashkë përpara dhe të mendojmë se cila do të jetë qasja në të ardhmen për të ndikuar në ngritjen e cilësisë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se janë disa faktorë që do të ndikonin që shkollat tona ta kenë një nivel, një standard çfarë e kanë shkollat në vendet e zhvilluara. Si faktorë kyç, ministri Bytyqi përmendi Inspektoratin e Arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku tha se po synohet të merren hapa konkret që këto dy mekanizma të jenë në nivel të detyrës. “Inspektorati duhet të luajë një rol kyç në ngritjen e cilësisë në arsim. Për ta luajtur këtë rol Inspektorati i Arsimit duhet të jetë një familje për tërë territorin e Kosovës”, tha ndër të tjera ministri Bytyqi, ndërsa sa i përket drejtorëve të shkollave tha se duhet të jenë liderë të ngritjes së cilësisë, në të kundërtën nuk mund të arrihet ky synim. Ministri Bytyqi foli edhe për procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, ku inspektorët do të kenë një rol të rëndësishëm dhe do të ndihmojnë drejtorët e shkollave. “T’i shfrytëzojmë këto ditë të punëtorisë si fillim i qasjes tonë ndryshe ndaj shkollave tona në mënyrë që shkollat të ofrojnë një edukim të mirëfilltë të cilin të gjithë ne po e dëshirojmë. Asgjë nuk është e pamundur. Ne duhet ta lëmë anash pesimizmin dhe t’i kryejmë obligimet tona për ta ndryshuar këtë gjendje”, tha ministri Bytyqi. Ministri Bytyqi iu tha inspektorëve se MAShT-i bashkë me partnerët do të shohin mundësi të vazhdueshme për të siguruar trajnime për inspektorët, në mënyrë që ata të jenë gjithmonë të përgatitur dhe në nivel të detyrës. Ndërkaq, eksperti i GIZ-it, Hans Hermann Dube tha se nëse kemi një shtet kaq të ri dhe ka arritur kaq shumë, atëherë do të thotë se ka sukses në këtë shtet, prandaj tha se mendon që Kosova është duke shkuar në rrugën e duhur. “Në Kosovë ka mësimdhënës shumë të motivuar, inspektorë të arsimit të cilët vërtetë janë të gatshëm për të kontribuar në ngritjen e cilësisë në arsim së bashku me drejtorët e shkollave dhe po e shoh një Ministri të Arsimit me në krye një ministër, që e ka kuptuar se cilat ndryshime duhet të bëhen për të hyrë në mesin e shteteve evropiane të cilat kanë një sistem të mirë arsimor”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …