MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË PERSONAVE ME NEVOJA TË VEÇANTA

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, të organizuar nga Qendra Burimore “Nënë Tereza” në Mitrovicë. Ministri Bytyqi, me këtë rast tha se, shënimi i kësaj dite të veçantë nënkupton kujdesin që duhet ta kemi në vazhdimësi për personat me nevoja të veçanta, e në veçanti të kujdesemi për edukimin dhe arsimimin e tyre.  Ministri Bytyqi theksoi se ka sfida kur flitet për arsimimin e personave me nevoja të veçanta, por tha se po punojmë dhe e kemi obligim që t’i kalojmë sfidat në këtë drejtim. “Kjo kategori, në asnjë mënyrë nuk guxon të quhet e margjinalizuar në shoqërinë tonë, por duhet të jetë e barabartë dhe e integruar në shoqëri”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se 3 Dhjetori është një ditë e veçantë që ka për qëllim të vetëdijesojë tërë shoqërinë që të ketë përgjegjësi të përditshme ndaj kësaj kategorie. “Ne e kemi obligim që çdo ditë të punojmë për këtë komunitet, për të krijuar kushte për t’i arsimuar dhe në këtë mënyrë të bëjmë të mundur që të ndihen të barabartë në shoqërinë tonë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa falënderoi mësimdhënësit e Qendrës Burimore “Nënë Tereza” në Mitrovicë për punën që po bëjnë me fëmijët me nevoja të veçanta. Ministri theksoi se MAShT tashmë e ka të përgatitur infrastrukturën ligjore, e cila jep mundësi dhe obligon institucionet politikbërëse dhe arsimore të krijojnë kushte dhe të kujdesen për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në mënyrë që ata të aftësohen për t’u kujdesur për veten dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë. Në fund, ministri Bytyqi ka vizituar ambientet e Qendrës dhe ka parë edhe ekspozitën e përgatitur nga nxënësit. Në vitin 1992, Asambleja e Kombeve të Bashkuara 3 dhjetorin e përcaktoi si ditë ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, e cila ka për qëllim që të ngritë vetëdijen shoqërore në gjithë botën për kujdesin që duhet të kemi ndaj kësaj kategorie.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …