MINISTRI BYTYQI NË BEOGRAD KËRKON BASHKËPUNIM RAJONAL PËR REFORMAT ARSIMORE

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në konferencën me temën “ Vizioni i Bashkëpunimit Rajonal për Edukim Cilësor dhe Trajnim”, organizuar nga Iniciativa për Reformën Arsimore e Evropës Juglindore(ERI-SEE) dhe Ministria e Arsimit e Serbisë. Në këtë konferencë ku po marrin pjesë edhe ministrat e Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë panelit ministror, ministri Bytyqi ka folur për zhvillimet, të arriturat dhe sfidat në sistemin arsimor në Kosovë. Gjatë panelit ministror, ministri Bytyqi ka folur për secilin nivel të arsimit në Kosovë, duke filluar nga arsimi parashkollorë dhe parafillorë, ku rreth edukimit parashkollor (0-5  vjeç), tha se jemi në përgatitjen e draftit final të kurrikulës bërthamë, ndërsa rreth edukimit parafillorë, për fëmijët e moshës pesë vjeçare ka përmendur fillimin e zbatimit të kurrikulës bërthamë. Gjithashtu, ministri Bytyqi ka përmendur edhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes, arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, ku ka përmendur mbështetjen e Ministrisë, mbështetjen përmes mësuesve të specializuar dhe asistentëve personal për nxënësit me nevoja të veçanta. Në lidhje me arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi tha se kemi katër shtylla kryesore që do jenë edhe prioritet i Ministrisë së Arsimit për vitin e ardhshëm: metodat e përmirësuara të mësimdhënies, ku tha se duhet sa më shpejt stili i mësimdhënies, nga mësimi me përkushtim në rritjen e kureshtjes dhe interesit për të mësuar, pra duke ndryshuar metodat e mësimdhënies nga mësimi klasik në atë modern, kreativ dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu, ka folur edhe për përmirësimin e menaxhimit të shkollës, në mënyrë që drejtori i shkollës të ketë një rol më të rëndësishëm nga ai teknik në menaxherial dhe vendimmarrës. Po ashtu, si prioritet tjetër në kuadër të arsimit parauniversitar, ministri Bytyqi ka përmendur edhe mentorimin e përmirësuar, ku tha se duhet të fokusohemi në ndryshimin e rolit të inspektorëve të arsimit, nga kontrollues në një rol mentorues, duke dhënë sa më shumë këshilla për shkollat që angazhohen për një performancë sa më të mirë të shkollës. Rreth kësaj ministri Bytyqi ka thënë se, do të na ndihmojë shumë edhe Ligji i ri për Inspektoratin e Arsimit. Gjithashtu, ministri Bytyqi tha se ne duhet të angazhohemi edhe në rritjen e mekanizmave pjesëmarrëse, ku strukturat e shkollës nga roli pasiv duhet të bëhen sa më aktive. “Është shumë e rëndësishme që prindërit dhe studentët të integrohen më masivisht në jetën e shkollës, sepse askush më mirë se prindërit nuk e di se çfarë është më e mira për fëmijët e tyre”, tha ai. Ministri Bytyqi ka folur edhe për arsimin e lartë, ku tha se me qëllim të rregullimit të profesioneve dhe harmonizimin e tyre me direktivat e BE-së, është miratuar Ligji për profesionet e rregulluara dhe janë në finalizim dhe disa udhëzime që rregullojnë çështje të caktuara. Ministri Bytyqi ka përmendur edhe finalizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që pritet të shkojë sa më shpejt në Qeveri dhe Parlament, e po ashtu përmendi edhe formimin e grupit për hartimin e një strategjie për arsimin e lartë. Bytyqi ka folur edhe rreth punës së AKA-së, ku tha se është duke luajtur një rol të mirë në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim. Po ashtu, ka përmendur edhe themelimin e bordeve industriale në universitete me qëllim që të nxitjes së lidhjeve të mira në mes të arsimit të lartë dhe tregut të punës. Ministri Bytyqi ka folur edhe për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, ku ka përmendur bashkëpunimin me GIZ-in gjerman rreth hulumtimit në 68 shkolla profesionale, që ka për qëllim identifikim e të gjeturave në këtë nivel të arsimit. Rreth arsimit profesional, ministri Bytyqi ka përmendur hartimin e kurrikulës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional, nga e cila do dalin edhe kurrikulat e profileve, si dhe është iniciuar hartimi i një strategjie dhe janë ndarë një milion euro për mbështetjen e praktikës profesionale. Në fund të fjalës së tij, ministri Bytyqi ka përmendur edhe prioritetet kryesore përmes të cilave bashkëpunimi rajonal ndikon në reformat tona arsimore, siç është zhvillimi i negociatave në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të rezultojë me njohjen e katër profileve profesionale; doktor i mjekësisë, stomatolog, inxhinier dhe arkitekt, pastaj shkëmbimi i kuadrove përmes programit të mobiliteteve në mes të vendeve të Ballkanit, që do ishte një bashkëpunim në fushën akademike, si dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, pra në mes të institucioneve të vendeve tona me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit dhe ngritjes së cilësisë. Në fund, ministri Bytyqi tha se ne jemi të angazhuar që ta bëjmë depolitizimin e arsimit në mënyrë që sistemi ynë arsimor të njihet për të mirë në arenën ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …