MINISTRI BYTYQI PRITI KRYETARIN E SHOQATËS SË TË VERBËRVE TË KOSOVËS, DAUT TISHUKU

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuku, me të cilin bisedoi rreth shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i të verbërve rreth çështjes së objektit të Qendrës Burimore“Dr. Xheladin Deda”, në Pejë. Lidhur me këtë, ministri Bytyqi ka shprehur keqardhjen për shqetësimin që ata kanë dhe tha se me të marrë informacionet e para, ne kemi marrë hapat e nevojshëm duke  kundërshtuar veprime të tilla, madje kemi kontaktuar menjëherë Ministritë e përfshira në këtë proces dhe Komunën e Pejës. “Pas takimeve të zhvilluara jemi dakorduar që një veprim i tillë të mos ndodhë derisa të marrim një qëndrim zyrtar nga vet Qendra Burimore dhe nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe besoj shumë që këtë çështje do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe së shpejti do të marrim një vendim adekuat”, tha Ministri. Në këtë takim u fol edhe për nevojën e trajnimit të të verbërve, përkatësisht trajnerëve të rinj për aftësimin dhe pavarësimin sa më të madh të të verbërve me programe të reja. Sa i përket çështjes së trajnimeve dhe ofrimin e programeve për të verbrit, ministri Bytyqi u shpreh se, ne jemi të interesuar që të mbështesim të gjitha kategoritë me nevoja të veçanta dhe se kërkesat e tyre do të merren në konsideratë, e do të trajtohen seriozisht në çdo kohë. “Ajo për çka kemi nevojë është komunikimi më i shpeshtë, informimi me kohë për çdo gjë që ju duhet dhe pastaj do të keni mbështetjen  e merituar”, tha ministri Bytyqi. MAShT, theksoi Ministri, do të ofrojë mbështetjen e saj me të gjitha mundësitë që ka, qoftë me ofrimin e trajnimeve, por edhe mbështetje financiare brenda mundësive të Ministrisë, madje do të kërkojmë mbështetje edhe nga donatorët, sepse edukimi i mirëfilltë dhe krijimi i kushteve të nevojshme për këtë kategori të shoqërisë tonë është shumë i rëndësishëm. Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovë, Daut Tishuku, ka falënderuar ministrin Bytyqi për kohën dhe konsideratën që ka,lidhur me nevojat dhe shqetësimet aktuale të komunitetit të të verbërve, posaçërisht  atyre nga rajoni i Pejës. Ai, po ashtu tha se, nuk dëshiron që të përsëriten vitet e 70-ta kur në mungesë të hapësirës shkollore, të verbërit nuk kishin as kushte elementare për zhvillimin dhe aftësimin e tyre për një jetë  modeste.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …