Ministri Bytyqi priti përfaqësuesit e të verbërve të Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki dhe drejtorin e Qendrës Burimore “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati, me të cilët ka biseduar për shumë çështje dhe nevoja që ka komuniteti i të verbërve në Kosovë. Në takim, u theksua nevoja e zyrtarizimit nga ana e ministrit Bytyqi të plotësimeve të shkrimit braj (brille) në gjuhën shqipe, platformë e cila tashmë është e gatshme me plotësimet që janë bërë nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, Qendra “Xheladin Deda” në Pejë dhe Instituti i fëmijëve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë. Kryetari Tishuki e njoftoi Ministrin se këto plotësime janë bërë për shkak se shkrimi braj në gjuhën shqipe, nuk ka pasur ndryshime që nga viti 1970 dhe përparimi i teknologjisë informative e ka vështirësuar shkrim-leximin për të verbrit. Ministri Bytyqi përgëzoi institucionet dhe shoqatat nga Kosova dhe Shqipëria për punën që kanë bërë dhe theksoi se përkrahja e MAShT nuk do të mungojë në këtë drejtim, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë komunitet. Në takim u bisedua edhe për nevojën e theksuar të sintezës vokale të gjuhës shqipe, por edhe për të arriturat dhe vështirësitë që ka gjatë punës Qendra Burimore “Xheladin Deda” në Pejë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …