MINISTRI BYTYQI TAKOI PARTNERËT E FUSHATËS PËR ARSIM MË TË MIRË NË KOSOVË

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në takimin e Komitetit drejtues dhe partnerëve të Fushatës për Arsim më të Mirë në Kosovë, e cila ka filluar në nëntor të vitit të kaluar dhe po vazhdon me aktivitetet e planifikuara. Ministri Bytyqi, me këtë rast, falënderoi GIZ-in, si partner kryesor, si dhe të gjithë partnerët tjerë që po kontribuojnë në realizimin e kësaj fushate, e cila ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim. Ministri Bytyqi vlerësoi se fushata “Arsimi në dorën tënde”, deri më tani ka dhënë rezultate dhe tha se ishte një fushatë me peshë shumë të madhe. “Ajo çka doli e qartë nga kjo fushatë dhe të gjitha angazhimet e përbashkëta që ne i patëm është që sistemi arsimor për t’u ndryshuar do një angazhim të përgjithshëm”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm, jo vetëm në fushatë, por gjatë tërë kohës, krahas angazhimit maksimal të mësimdhënësve. Duke folur për hapat që ka bërë MAShT për të ndryshuar gjendjen në sistemin arsimor, ministri Bytyqi veçoi ndryshimet që janë bërë në infrasktrukturën ligjore. “Jemi në rrugë të mbarë. Kemi krijuar një infrastrukturë e cila na mundëson që sistemi arsimor të rrugëtojë drejt integrimit evropian”, tha ministri Bytyqi dhe në këtë drejtim përmendi kurrikulat e reja, konkursin për tekste të reja që përputhen me kërkesat e këtyre kurrikulave, krijimin e kushteve për matjen e performancës së mësimdhënësve dhe licencimin e tyre. Ndërsa, ministri Bytyqi përmendi si sfidë edhe tekstet e mirëfillta për shkollat profesionale dhe tha se në këtë drejtim MAShT ka shumë nevojë për mbështetjen e partnerëve, në mënyrë që këto tekste të jenë brenda standardeve evropiane. Fushata për Arsim më të Mirë në Kosovë po vazhdon me aktivitete të reja dhe në këtë fazë do të koncentrohet më shumë në vetëdijësimin e prindërve, në mënyrë që të rritet përfshirja e tyre në sistemin arsimor dhe të japin kontributin e tyre për ta ngritur cilësinë në arsim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …