MINISTRI BYTYQI VIZITOI DY QENDRA MËSIMORE NË KOMUNËN E GJAKOVËS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi vizitoi dy Qendra Mësimore në Komunën e Gjakovës, Qendrën e Komunitetit (jashtëshkollore) të implementuar nga Bethany Christian Services, në Brekoc në Komunën e Gjakovës dhe Qendrën Mësimore në shkollën fillore “Zef Lush Marku”, në Gjakovë. Në këtë vizitë morën pjesë edhe Christian Heldt, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës dhe përfaqësues të GIZ-it në Kosovë. Ministri Bytyqi me këtë rast ka theksuar se, MAShT dhe partnerët të cilët e përkrahin arsimin në Kosovë po bëjnë një punë të madhe në angazhimin e të rinjve dhe krijimin e kushteve sa më të mira për një edukim cilësorë dhe  të barabartë për çdo të ri. “Përveç GIZ-it kemi edhe partnerë të tjerë të cilët angazhohen vazhdimisht që të rinjtë e komunitetit të angazhohen në edukimin e tyre të detyrueshëm, por edhe në edukimin shtesë. Partnerët tanë janë bërë pjesë e jona dhe po na ndihmojë në çdo aspekt. Normalisht kur është fjala për komunitetet asnjëherë nuk ka munguar përkrahja”, ka thënë ministri Bytyqi. Ndër të tjera, ministri Bytyqi vlerësoi se të rinjtë tanë, sidomos ata të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë nevojë për stimulim shtesë dhe përkujdesje sa më të mirë sociale dhe në këtë aspekt Qendrat Mësimore kanë një peshë të veçantë. Duke bërë të ditur se tashmë janë krijuar rreth 10 Qendra të Komunitetit të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, ministri Bytyqi tha se, MAShT do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm ato dhe kërkoi që këtë ta bëjnë edhe komunat, në mënyrë që të ketë një bashkërendim të punëve, sa i përket përkrahjes së të rinjve tanë. Ministri Bytyqi gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me partnerët e saj ka arrit që një numri të madh të të rinjve të komuniteteve t’u sigurojë edhe bursa në arsimin e lartë, ndërkaq kërkoi që kjo përkrahje të vazhdohet edhe në vitet e ardhshme. Gjatë ditës ministri Bytyqi ka vizituar Qendrën Mësimore në kuadër të shkollës “Zef Lush Marku”, ku njëkohësisht është zhvilluar edhe një tryezë e rrumbullakët, në të cilën ishin prezentë mësimdhënës të kësaj shkolle, prindër dhe përfaqësues të komuniteteve. Në këtë tryezë u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet kjo Qendër, zhvillimin e procesit të edukimit dhe rëndësinë që ka mbështetja e fëmijëve të komunitetit nga kjo Qendër në aspektin e të mësuarit dhe vetëdijesimit për nevojën e shkollimit, si dhe ndikimin në parandalimin e braktisjes së shkollës. Ministri Bytyqi me këtë rast u shpreh se, kjo dëshmon se angazhimi i të gjithëve është më se i nevojshëm për të pasur një arsim sa më të mirë. “Ne duhet të angazhohemi që të krijojmë ambiente të dëshirueshme për nxënësit, që ata të shkojnë me vullnet në shkollë dhe të marrin njohurit dhe shkathtësitë e duhura për jetën”, tha ministri. Ndërsa, në konferencën për media, ministri Bytyqi tha se, pas vizitës në dy Qendra Mësimore pamë sfidat me të cilat ballafaqohen ato në zhvillimin e procesit të edukimit dhe me këtë rast ka falënderuar qeverinë gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen që po i bëjnë sistemit të arsimit, përmes projekteve të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …