MINISTRI BYTYQI VIZITOI GJIMNAZIN “BEDRI PEJANI” NË PEJË

Në kuadër të vizitave që po u bën shkollave të Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka vizituar gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Në ditën e dytë të fillimit të vitit të ri shkollor, ministri Bytyqi, fillimisht i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për një vit të mbarë shkollor, vit ky, për të cilin tha se do të jetë një vit i sukseseve në të gjitha shkollat e Kosovës. Në bashkëbisedim me mësimdhënësit e Gjimnazit, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë shkollë, e cila është me traditë dhe ka nxjerrë gjenerata të tëra  intelektualësh. Në vazhdim, ministri Bytyqi theksoi se nga vizitat që po bën nëpër komuna dhe nëpër shkolla, po vërehet një mobilizim i përgjithshëm i autoriteteve komunale, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve. “Kjo na obligon që të angazhohemi më shumë drejt përmbushjes së synimeve për një arsim më cilësor”, tha ai. Duke folur për punën e mësimdhënësve, ministri Bytyqi tha se, ata nuk janë vetëm të punësuar, por profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë dhe kërkon më shumë angazhim për të arritur suksese. Ministri Bytyqi, po ashtu, u shpreh i gëzuar që ndodhet në objektin e rinovuar të këtij gjimnazi. “Ky renovim është bërë për të krijuar kushte të mira për të gjithë nxënësit dhe ne duhet të vazhdojmë që të krijojmë ambiente të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë”, tha ai. Ne, theksoi Ministri, do të vazhdojmë të kemi angazhime të tilla së bashku me Drejtoritë Komunale të Arsimit. “Por, nuk është vetëm krijimi i kushteve ajo që duhet të bëjmë ne. Nevojitet një angazhim i gjithanshëm në çdo aspekt, në mënyrë që të arrijmë rezultatet që dëshirojmë”. Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se i gëzohet edhe faktit që shumë nxënës të kësaj shkolle arrijnë të pranohen në universitete të njohura evropiane dhe të përfitojnë bursa nga këto vende, për të cilën gjë i përgëzoi mësimdhënësit për punën që bëjnë për të përgatitur këta të rinj. Në fund, ministri Bytyqi premtoi angazhim dhe mbështetje të vazhdueshme për çdo kërkesë që ka kjo shkollë, por edhe shkollat tjera në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …