leoni

MINISTRI BYTYQI VIZITOI SHKOLLËN “MIHAL GRAMENO” NË FUSHË KOSOVË

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në vazhdim të vizitave në shkollat e Kosovës, ka vizituar shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku ka bashkëbiseduar me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit për të arriturat dhe vështirësitë që hasen gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se ky është një vit i rëndësishëm shkollor, pasi që po bëhen përpjekje të mëdha për angazhimin e të gjithë akterëve për ta lëvizur përpara sistemin e arsimit. “Nëse ne i shohim problemet që ka sistemi arsimor, që i kanë shkollat tona, si një problem të përbashkët për ta zgjidhur, besoj se jemi pikërisht në vitin kur do ta marrim një rrugë të mbarë në arsim”, tha Ministri. Ministri Bytyqi përmendi edhe situatën në këtë shkollë dhe në përgjithësi në komunën e Fushë Kosovës, ku nga ardhja e banorëve nga pjesë tjera të Kosovës, është rritur shumë numri i nxënësve. Por, ai shprehu gatishmërinë për të gjetur zgjidhje në këtë situatë. “Jemi të gatshëm që të jemi në krah me ju, që të ulemi bashkë me ju, edhe me Ministrinë e Financave që të bëjmë zgjidhje”, tha ministri Bytyqi, pasi që theksoi se duhet të rritet numri i paraleleve, pra edhe i mësimdhënësve, në mënyrë që të mos kemi klasa të stërngarkuara, e për pasojë edhe mungesë të cilësisë në arsim. Ministri Bytyqi, po ashtu theksoi se, Fushë Kosova është komuna që ka nevojën më të theksuar për ndërtimin e shkollave të reja dhe për këtë tha se nevojitet një angazhim i përbashkët me Komunën, e cila është e obliguar të sigurojë hapësirën dhe për këtë përmendi dështimin e ndërtimit të një shkolle në Fushë Kosovë për këtë arsye. Me gjithë vështirësitë, Ministri përgëzoi mësimdhënësit për punën që po bëjnë dhe i porositi ata që profesionin ta marrin gjithmonë si të shenjtë dhe të ofrojnë dije e kompetenca të duhura për fëmijët tanë. Në fund, ministri Bytyqi përmendi edhe rolin e prindërve dhe theksoi se ata duhet ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm, pasi që tha se, nuk mund të lëvizim përpara pa prindër.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …