MINISTRI BYTYQI ZHVILLOI NJË TAKIM MË KRYESINË E KËSHILLIT TË PRINDËRVE TË KOSOVËS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur një takim me kryesinë e Këshillit të Prindërve të Kosovës(KPK), me të cilët bisedoi rreth grevës së përgjithshme të paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBAShK), dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin dhe aktivitetet e KPK-së, konkretisht për nevojën mbështetjes logjistike nga MAShT për aktivitetet e Këshillit. Ministri Bytyqi dhe anëtarët e KPK-së shprehën shqetësimet e tyre për grevën e shpallur nga SBAShK-u, e cila pritet të fillojë nga 14 janari, si dhe pasojat e mundshme që do të ketë në aspektin edukativo-arsimor. Ministri Bytyqi, gjithashtu tha se, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të SBAShK-ut, ka shprehur qëndrimin e tij kategorik kundër mbajtjes së grevës pa i shtjerrë të gjitha mundësitë e zgjidhjes institucionale të problemit. Ministri Bytyqi sqaroi se, pas kërkesës dërguar nga MAShT-i, Ministrisë së Administratës Publike, për të cilën ka qenë i informuar edhe SBAShK-u, Draftligji ka pësuar ndryshime pozitive, ndërsa theksoi se neni 17 parasheh edhe paga shtesë për mësimdhënësit e dalluar, si motivim për punën e tyre të suksesshme dhe theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje racionale, e cila do të jetë e mundur të realizohet. Ndërsa, kryetari i KPK-së, z. Ymret Reshiti, ndër tjera tha se, SBAShK-u duhet të tregojë më shumë durim, të përdorë mjete më demokratike dhe të kuptojë rrethanat në të cilat veprojmë. “Mendojmë se ka vend për dialog social dhe t`i jepet  kohë Qeverisë, në këtë rast edhe Ministrisë  së Arsimit, sepse Ministria ka lëvizë në ngritjen e koeficientëve në propozimet që janë dhënë brenda Draftligjit dhe SBAShK-u -duhet ta vlerësojë këtë”, tha ai. Ne konsiderojmë se duhet të ketë durim dhe komunikim mes SBAShK-ut dhe Qeverisë, tha kryetari Reshiti, sepse zgjidhja do të bëhet, dhe kërkojmë nga Sindikata që të heqë dorë nga greva.

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …