Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli me ftesë të Forumit Ndërkombëtare të Halifaksit për Siguri, mori pjesë në punimet e Konferencës “Avancimi i sigurisë nga vizioni modern” që u zhvillua në Halifaks të Kanadasë nga data 20-22 nëntor 2015.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli në punimet e Konferencës në Halifaks foli për Perspektivën aktuale të Kosovës në sfidat më të ngutshme të sigurisë, duke bërë që tema të zgjoi interesim të madh tek audienca e gjerë pjesëmarrëse në Konferencë. Ministri Demolli ndër të tjera u fokusua edhe tek sfidat e përgjithshme që rajoni po ballafaqohet dhe ri konfirmoj se rruga e vetme për rajonin është përshpejtimi i integrimeve Euro-Atlantike të vendeve te Ballkanit.
Gjithashtu, ministri Demolli zhvilloi edhe një varg takimesh bilaterale dhe multilaterale me disa prej ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pjesëmarrëse në Konferencë e gjithashtu edhe me disa prej ministrave të vendeve partnere të NATO-S.
Ministrit Demolli u takua në Halifaks edhe me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Robert Work, pastaj me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan si dhe atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë. Në takime u diskutua për sfidat dhe rreziqet që vijnë dhe nevoja që bashkërisht dhe njëzëri të unifikohen qëndrimet e botës demokratike dhe përmes bashkëpunimit gjithëpërfshirës të ballafaqohemi me rreziqet e ashtuquajtura bashkëkohore.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli zhvilloi një takim kokë me kokë me shkëlqesinë e tij, Ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan. Ministri e falënderoi me këtë rast shtetin e Kanadasë për gjithë ndihmën e dhënë për Kosovën dhe kontributin dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Po ashtu Ministri Demolli e falënderoi Ministrin Sijjan për përkrahjen e vazhdueshme që shteti i Kanadasë i ka ofruar Republikës së Kosovës në rrugën e saj të pakthyeshme Euro-Atlantike. Në takim u theksua gjithashtu kontributi i Kanadasë në KFOR dhe në ekipet këshilluese në MFSK dhe FSK deri me tani.
Ministri Demolli në takim e ngriti idenë e një Marrëveshje Bilaterale në mes MFSK-s dhe Departamentit Nacional Kanadez të Mbrojtjes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Po ashtu Ministri Demolli ftoj ministrin kanadez për një vizite në Republikën e Kosovës.
Ministri kanadez i Sajjan e ri konfirmoj edhe një herë se kontributi dhe përkrahja e Kanadasë nuk do të mungoje për Republikën e Kosovës dhe se do të shqyrtohen mundësitë dhe rrugët e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen e afërt.
Ministrin Demolli në Forumin e Halifaksit e shoqërojnë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni si dhe Sinan Geci, shef i Sektorit për bashkëpunim Euro- Atlantik në ministrinë për FSK.
Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks është i njohur si një vend takim vjetor i cili krijon hapësirë ku vendimmarrësit të cilët mund të bëjnë bashkërisht zgjidhje e vështira. Tani në kohën kur vendet demokratike po ballafaqohen me kërcënime kjo është shumë urgjente sepse asnjë vend veç e veç nuk mund të zgjidhë probleme si e vetme, ashtu sikurse këtë mund ta bëjnë liderët e mençur së bashku.
Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks ngrit në nivel më të lartë bashkëpunimin strategjik ndërmjet dhe midis shteteve demokratike në botë. Pjesmarrësit që mblidhen në Halifaks për çdo nëntor, prezantojnë më shumë se 60 shtete, por tani kanë vënë një limit, jo më shumë se 300 pjesëmarrës.