Ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama kanë pritë sot, në takime të ndara, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë gjeneralmajor Jeronim Bazo me bashkëpunëtorë. Me këtë rast ministri Demolli e ka falënderuar gjeneralin Bazo dhe Shqipërinë për ndihmën e pakursyer që po japin në ngritjen profesionale të FSK-së, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy institucioneve, si dhe për gatishmërinë e tyre për t’i ofruar ndihmë profesionale FSK-së, edhe në të ardhmen. Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama shprehu kënaqësinë e veçantë që e priti shefin e Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë, gjeneralin Bazo, për një vizitë pune e cila tregon për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy forcave tona. Të dy gjeneralët biseduan edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha lëmenjtë e mundshme.
Ministri Demolli dhe Komandanti i FSK-së gjeneral Rama, me këtë rast e njoftuan shefin e Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë gjeneralin Bazo për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që edhe në të ardhmen të na ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve tona. Ne biseduan gjithashtu edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta, sepse objektivi ynë është që Forcat e Armatosura të Kosovës të jenë edhe pjesë e familjes së NATO-s.
Në fund, ministri Demolli dhe gjeneral Rama kanë falënderuar shefin e Shtabit të FA-së të Shqipërisë, gjeneralin Bazo, për gatishmërinë e tij dhe të Shtabit të FA të Shqipërisë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe afrimit të ndihmës profesionale për FSK-në.
Ndërsa, shefi i Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë gjenerali Bazo pasi falënderoi ministrin Demolli dhe gjeneral Ramën për pritjen, shprehu gatishmërinë e FA të Republikës së Shqipërisë se edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë FSK-në në të gjitha drejtimet.
Në pritjen e delegacionit ushtarak të FA-së të Republikës së Shqipërisë morën pjesë gjeneralët: Zymer Halimi, Gëzim Hazrolli, kolonel Hysni Shabani dhe major Berat Shala.
Ndërsa, delegacioni i Shqipërisë përbehej edhe nga kolonelët Ilir Pujo, Ilir Xhebexhia, nënkolonel Roland Shuli dhe kapiten Evis Tollja.