Sot ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencën përmbyllëse ka shpalosur rezultatet e arritura në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK për vitin kalendarik 2023. Ministri ka paraqitur të arriturat dhe sfidat e vitit kalendarik të këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Në fjalimin e plotë të ministrit Ejup Maqedonci, duke folur për Buxhetin thuhet se Arritja më e lartë për Ministrinë e Mbrojtjes si rezultat i përkrahjes qeveritare sigurisht është buxheti i ndarë për vitin 2023, e që nga buxheti fillestar me vendim qeveritar në total ka arritur vlerën prej 201 milionë euro apo 2% të GDP, që rrjedhimisht ka ndikuar pozitivisht edhe në drejtimet në të cilat kemi investuar si ministri. Në radhë të parë ai ka folur në ngritjen e kapaciteteve humane brenda FSK-së përmes rekrutimit. Gjatë këtij viti kemi rekrutuar 627 rekrutë aktiv, ndërsa që nga fillimi i mandatit kemi rekrutuar 1836 pjesëtarë të rinj, duke dyfishuar pothuajse numrin total të ushtarakëve me një rritje prej 66.87%. Ministri Ejup Maqedonci ka folur për ngritjen e pagave, trajtimin dhe shkollimin e kadetëve, investime në sisteme të armatimit, ushtrimet dhe operacionet, bashkëpunimin ndërkombëtar e të tjera.
Raporti i plotë:
Ngritja e pagave:
Grada e ushtarit nga 422 euro në 588 (rritje prej 39%)
Tetar i karrierës nga 465 euro në 609 ( rritje prej 31%)
Tetar nga 489 euro në 609 (rritje prej 31%)
Trajnimit dhe shkollimit:
Që nga fillimi i mandatit janë shkolluar qindra oficerë dhe dhjetra kadetë në akademitë ushtarake më të njohura në botë, ndërsa aktualisht po ndjekin shkollimin 62 kadetë.
Krahas shkollimit të gjeneratave të reja të kadetëve është investuar dhe në trajnimin e ushtarakëve. Vetëm gjatë vitit 2023 janë trajnuar 580 pjesëtarë, ndërsa që nga fillimi i mandatit janë trajnuar 3325 ushtarakë jashtë vendit apo 4 herë më shumë se në qeverisjet e kaluara.
Investimit në sisteme të armatimit:
Me një buxhet që ka shënuar rritje mbi 100% në raport me vitin 2022, është investuar 28% më shumë në blerjen e armatimeve, apo nga 3 milionë që është investuar në qeverisjen e kaluar këtë mandat ne kemi investuar 239 milionë euro dhe sigurisht dronët Bayraktar janë vetëm një nga llojet e sistemeve të armatimeve të cilat tanimë i kemi në dispozicion.
Të gjitha këto kanë bërë që Republika e Kosovës të ngritet për 5 vende më lartë në Indeksin e Fuqisë Globale të ushtrisë në botë.
Ushtrimet dhe operacionet
Nuk mund të mos përmend faktin që gjatë këtij viti me sukses FSK ka përfunduar ushtrimin fushor ‘’Defender Europe 2023’’ me ç’rast është validuar një regjiment. E po ashtu pjesëtarët tanë kanë treguar shkallë të lartë profesionalizmi në operacionin e kërkim-shpëtimit të inicuar me rastin e tërmetit në Turqi, pastaj në operacionin e bashkëzbarkimit në Ishujt Falkland, ndërsa jemi në proces të finalizmit të marrëveshjes për bashkëzbarkimit me Forcat e Armatosura Britanike në shtetin e Belizesë.
Bashkëpunimi ndërkombëtar:
Në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar më duhet të theksoj se kemi të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 15 shtete, ndërsa jemi në proces të dakordimit për MoU me Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Finlandën.
Po ashtu gjatë këtij viti kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake përmes akreditimit të atasheve tanë ushtarak në Holandë, Slloveni dhe Kanada, ndërsa jemi në proces në Zvicër dhe Itali.
Duke qenë se vlerësojmë lartë bashkëpunimin me partnerët tanë strategjik dhe synimi ynë është anëtarësimi në NATO, si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës kemi ofruar përkrahje për Ukrainën brenda kapaciteteve tona. Jemi në proces të zhvillimit të marrëveshjes me USAREU-AF për trajnimin në Kosovë të trupave të ushtrisë së Ukrainës në fushën e deminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Sa i aspektit të paraqitjes ndërkombëtare të Kosovës, theksoj se Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim është duke korrur suksese të jashtëzakonshme. Vetëm gjatë këtij viti kjo qendër ka trajnuar qindra pjesëtarë të shteteve partnere si: Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Hungaria, Jordania, Malta, Maqedonia Veriore, Irlanda, Portugalia, Turqia, dhe së fundi Holanda, shtet me të cilin dhe filluam etapën e re të ofrimit me pagesë të trajnimeve në QNTKSH.
Realizmi i Planit të Punës 2023 dhe projektet kapitale:
Nga 137 aktivitetet e planifikuara në Planin Vjetor të MM-së për vitin 2023 deri me tani janë realizuar 131 aktivitete apo shprehur në përqindje 95%.
Ndërsa sa i përket Fazës së Dytë të PGJT-së, nga 15 projekte kapitale infrastrukturore të planifikuara për këtë fazë, 9 veçse janë realizuar ndërsa 6 janë në proces të realizimit.
Buxheti i planifikuar për vitin 2023 është shpenzuar rreth 95%.
Legjislacioni dhe dokumentet strategjike:
Në aspektin legjislativ gjatë këtij viti është miratuar Strategjia e Mbrojtjes dhe Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ndërsa jemi duke punuar rreth konceptit të Mbrojtjes Totale.
Ajo që mund të themi është se FSK posedon të gjtha kapacitetet e nevojshme për të garantuar siguri për qytetarët dhe mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës.