Ndonëse Qeveria deklaron se nuk po ka mjete për ndarjen e pagesave për veteranët e luftës, ministri i Financave, Avdullah Hoti ka paraparë rritje të buxhetit për 25 për qind. Gjatë dëgjimit publik për projekte- buxhetin e vitit 2017, ai përkujtoi se këtë vit, buxheti ka qenë 1 milard e 600 milion euro ndërsa në vitin 2017 Kosova do të ketë në buxhetin e saj 2 miliardë euro. Ministri i Financave, Avdullah Hoti shtoi më tutje se nga rritja e buxhetit do të ketë 50 përqind rritje të investimeve kapitale dhe 5 përqind për shpenzime. Ai tha se janë në proces të finalizimit të buxhetit që deri në fund të muajit tetor të shkoj në Qeveri për miratim.
