Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të drejtuar nga Fadil Demaku, zëvendëskryetar, ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, paraqiti raportin e vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillim të fjalës së tij, Demolli e informoi komisionin rreth takimeve zyrtare, duke vlerësuar se një nga takimet kryesore ishte ai me shefin e Gardës Kombëtare të shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralin, Frank Grass. Ai në këtë takim e kishte njoftuar gjeneralin Grass mbi mbarëvajtjen e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për hapat, përgatitjet që janë bërë si dhe për planet për zhvillimin e saj. Gjithashtu, Demolli informoi edhe për takimet e tij me shefin e Gardës Kombëtare të Aiovës, si dhe me gjeneralin, Timothy Orr. Ndër temat kryesore në takime ishin ato të zhvillimit të FSK-së. Demolli, ndërkaq, e njoftoi komisionin për vizionet kryesorë te Ministrisë së FSK-së si, promovimin e stabilitetit në shtet dhe regjion, si dhe gatishmërinë e shtetit të Kosovës të punojë me të gjitha ministritë në rajon.
Në vijim ai i njoftoi edhe për ftesën që i ishte bërë FSK-së nga NATO për pjesëmarrjen në ushtrime të 20 kadetëve, si dhe për trajnimet e organizuara nga NATO për shtetet jo anëtare. Demolli theksoi edhe partneritetin e suksesshëm me Garden Nacionale të Aioves, dhe ndihmën e ndarë për vitin 2016 prej rreth 5 milion dollarë nga SHBA-të për Ministrinë e FSK-së. Si sukses të lartë, Demolli vlerësoi pranimin e dy kadetëve për shkollim në West Point. Ndërkaq, e informoi komisionin edhe për procesin e transformimit të FSK-së në FAK, për Projektligjin e përgatitur dhe amendamentet. Ai theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Ministrisë së tij, duke pohuar se pritet vetëm vendimi politik. Gjithashtu, ai i përmendi parametrat e procesit të transformimit, si: periudha (rreth dhjete vite), rritja e personelit, buxheti që përcjell procesin e transformimit, infrastruktura dhe procesi i trajnimit. Në fund, Demolli theksoi edhe vlerësimet nga ana e partnerëve amerikanë për bashkëpunimin shumë pozitiv, intensifikim të bashkëpunimit, dhe përkrahje nga ana e tyre në të gjitha proceset e Ministrisë së FSK-së. Anëtarët e komisionit shtruan pyetje të cilave i’u përgjigj ministri Demolli.