Sot ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti në takim pune ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Kosovës, zotëri Nedialtço Dantçev me bashkëpunëtorë. Me këtë rast, ministri Berisha i dëshiroi mirëseardhje ambasadorit z. Dantçev dhe e falënderoi për bashkëpunimin dhe ndihmat që Bullgaria ka dhënë për Kosovën. Ministri Berisha dhe ambasadori Dantçev biseduan edhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësinë e zhvillimit, avancimit dhe intensifikimit të këtyre marrëdhënieve në fushën e sigurisë dhe në fushat tjera me interes për të dyja vendet. Ministri Berisha, gjithashtu e njoftoi ambasadorin e Bullgarisë, e zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, të arriturat dhe profesionalizimin e FSK-së, si dhe planet për të ardhmen, me theks të veçantë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Në kuadër të zhvillimit të FSK-së, ministri Berisha foli edhe për përfshirjen e komuniteteve jo shumicë në FSK, integrimin e tyre, përfaqësimin gjinor, bashkëpunimin e përgjithshëm me vendet anëtare të NATO-s, e në këtë kudër bashkëpunimin me NALT-in (Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s në FSK) dhe vendet tjera, si dhe interesimin dhe gatishmërinë e Ministrisë dhe FSK-së për zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe me shtetet tjera. Ministri Berisha shprehu gatishmërinë për fuqizimin e këtij bashkëpunimi edhe përmes nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit në mes MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë.
Nga ana e tij, ambasadori i Bullgarisë, z. Dantchev falënderoi ministrinë Berisha për pritjen dhe njëherësh i uroi edhe detyrën e re. Ai shprehu gatishmërinë e tij, për intensifikimin, avancimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy ministrive dhe dy shteteve: Kosovës dhe Bullgarisë.