leoni

Ministri Gashi: Fondin rinor prej 1 milion euro po e jetësojmë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një ceremoni të organizuar kanë bërë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë. Ministri Gashi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet vazhdimisht e përkushtuar në përkrahjen e rinisë, në zhvillimin e saj përmes projekteve konkrete. “Me qëllim të avancimit të sektorit të rinisë në Kosovë ne kemi hartuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për Rini duke adresuar me theks të veçantë komponentin e punësimit përmes programeve konkrete”, tha ai. Ministri Gashi po ashtu tha se Plani i Veprimit për Rritjen e Punësimit të Rinjve është zhvilluar me idenë se ky operon në kontekst të ndërveprimit me sektorë të tjerë të politikave publike dhe me strategjitë e tyre respektive. “Duke u bazuar në Planin e Veprimit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, Programin e Reformave Ekonomike  2016-2018 të miratuar nga Qeveria e Kosovës, Agjendën për Reforma Evropiane, Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Vizioni i Kosovës për Shkathtësitë 2020 të Zyrës për Planifikim Strategjik dhe Udhërrëfyesi për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka zhvilluar një program për mbështetjen e organizatave jo-qeveritare qe veprojnë si ofrues të trajnimeve të aplikojnë me projektet e tyre që kontribuojnë  në rritjen e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë për të rinj të moshës 18-24 vjeç”, theksoi Gashi. Ai po ashtu njoftoi se Programi për rritjen e Punësimit përmes Zhvillimit të ndërmarrësisë ka një kosto totale të zbatimit prej më tepër se 200 mijë euro dhe tha se “kjo është mbështetja e parë për këtë vit por ne do të vazhdojmë që gjatë këtij viti të mbështesim edhe shumë organizata tjera të cilat kanë për qellim rritjen e punësimit në vendin tonë”. “Me rëndësi që ky program ka një buxhet rreth 1 milion euro i cili shpërndahet në disa komponentë por që të gjithë e kanë pothuajse një qëllim, një mision, që sa më shumë të rinj të jenë përfitues të programeve të MKRS-së, përkatësisht të Departamentit të Rinisë që vepron në kuadër të Ministrisë”, theksoi ministri Gashi. Ministri përmendi edhe pilot projektin e vitit të kaluar me 70 të rinj duke e cilësuar si shumë të suksesshëm ngase shumica e atyre të rinjve sot kanë hapur ndërmarrje të vogla dhe po i zhvillojnë aktivitetet e tyre biznesore. Ai po ashtu theksoi rritjen e buxhetit për 110% nga 21 milionë në rreth 45 milionë. Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me këtë rast tha se institucionet e kanë për obligim që t’i përkrahin njerëzit që kanë ide, të rinjtë të cilët janë inovatorë dhe ndërmarrësit të cilët mund të krijojnë të mira materiale dhe punësim. “Përgëzoj ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe publikisht për faktin se të gjitha segmentet që janë në kompetencë të Ministrisë është duke i prekur dhe duke ju krijuar përkrahje. Kemi arritur në disa suksese të cilat janë të jashtëzakonshme për rrethanat në të cilat jemi”, tha kryetari Veseli. Ndërkaq përfaqësuesi i organizatës D&D, tha: “Programe si ky janë mënyra dhe investimi më i mirë dhe më direkt që ndikon në fuqizimin e rinisë dhe integrimin e tyre në aspektin socio-ekonomik në Kosovë. Investimi në rini është investimi më i mirë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …