Ministri Gashi takoi drejtoreshën e UNICEF-it, Khan, biseduan për avancimin e të rinjve

Në kuadër të vizitës që po zhvillon drejtoresha regjionale e UNICEF-it në Kosovë, Afshan Khan, është pritur në takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë mes MKRS-së dhe UNICEF-it, si partner i rëndësishëm. MKRS-ja dhe UNICEF-i kanë pasur bashkëpunim kryesisht në projekte dhe aktivitete që kanë pasur lidhje me fushën e rinisë në Kosovë, veçanërisht për programin e punës vullnetare. Ministri ka vlerësuar lartë bashkëpunimin për përkrahjen që na është dhënë nga UNICEF-i në shumë projekte. Ministri Gashi e ka informuar drejtoreshën e UNICEF-it për hapat që ka ndërmarrë MKRS-ja për përmirësimin dhe avancimin e politikave dhe jetës së të rinjve në Kosovë. “Jemi në fazën finale të Strategjisë së re për Rini 2018-2022. Për herë të parë kemi themeluar një fond rinor për punësimin e të rinjve, me një vlerë prej 600 mijë euro si dhe kemi rritur buxhetin për subvencionimin e projekteve për të rinjtë”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi. Ministri po ashtu ka njoftuar drejtoreshën e UNICEF-it se do të fokusohen në angazhimin e të rinjve dhe në informim më të madh për vullnetarizmin nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Ministri ka falënderuar drejtuesit e UNICEF-it për përkrahjen që kanë dhënë për projektet që kanë qenë në interes të MKRS-së, sidomos për fushën e rinisë. Ndërkaq, drejtoresha Khan, është shprehur e gëzuar që ka avancim në fushën e rinisë në Kosovë sepse të rinjtë e Kosovës janë marrë si model në shtetin e Kolumbisë dhe Malajzisë. Gjithashtu, ndër të tjera, ajo është shprehur e gatshme që të vazhdohet bashkëpunimi mes UNICEF-it dhe MKRS-së, duke veçuar fokusimin në inovacion që të rinjtë të avancohen në këtë fushë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …