Ministri Gashi takon ambasadoren e Finlandës, diskutojnë për rininë si potencialin e veçantë që ka Kosova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilin diskutoi rreth angazhimeve të MKRS-së dhe bashkëpunimin që ministria ka pasur me Ambasadën e Finlandës në Kosovë, me ç’rast ministri edhe e falënderoi ambasadoren dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe popullin e Finlandës për ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë për shtetin e Kosovës. Theks i veçantë, gjatë këtij takimi, iu kushtua koordinimit të përbashkët për fushën e Rinisë. Ministri Gashi e informoi ambasadoren se MKRS-ja është duke e finalizuar Strategjinë e re për Rininë, përmes të cilit i kushtohet vëmendje e posaçme këtij grupi të madh shoqëror, duke e pasur parasysh faktin që pjesa me e madhe e shoqërisë tonë janë të rinjtë. “Për herë të parë në këtë strategji do të përfshihet Fondi për rini dhe në kuadër të këtij fondi mund të kemi bashkëpunim të ngushtë me ambasadën sepse parashihen disa programe per të rinj, siç janë shkëmbimet rinore dhe përvojat e tyre mes shteteve të ndryshme. Në kuadër të strategjisë kemi përfshirë edhe komponentin e luftës kundër ekstremizmit”, u shpreh ministri Gashi. Ministri po ashtu e njoftoi ambasadoren finlandeze Stjernvall, se MKRS-ja mbështet të rinjtë në projekte të ndryshme përmes subvencionimit direkt, ndër ta, ndërmarrësit e rinj si dhe projektet e ndryshme inovative. “Për herë të parë në Kosovë do të fillojë projekti i ndërtimi të Qendrës Mutlifunksionale për rini, i cili është një model i sjellë si përvojë nga SHBA-ja”, tha ministri. Ambasadorja Pia Stjernvall, nga ana e saj, e falënderoi ministrin për takimin dhe tha që ndodhet në ministri për të diskutuar për çështje të rinisë dhe kulturës. Ambasadorja e vlerësoi se rinia e Kosovës ka një potencial të veçantë. Ajo e njoftoi ministrin Gashi se në Finlandë kur hartojnë dokumente të ndryshme strategjike, fokus primar i kushtojnë rinisë, e më pas marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit e stabilitetit rajonal.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …