leoni

Ministri Gashi vizitoi lokalitetin arkeologjik të Dresnikut dhe Kalanë e Vuçakut

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik në fshatin Dresnik të Klinës si dhe Kalanë e Vuçakut. Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi ka parë nga afër gërmimet arkeologjike që po bëhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në këto dy asete të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Gjatë vizitës në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut Ministri Gashi u shpreh i kënaqur me punimet në këtë lokalitet. Ai tha: “Jam këtu për të parë nga afër punimet që po bëhen në këtë lokalitet arkeologjik, në të njëjtën kohë dhe për të bashkëbiseduar me arkeologët dhe me të gjithë stafin por edhe me drejtuesit e Institutit Arkeologjik të Kosovës edhe për nevojat shtesë buxhetore që i ka ky projekt. Ai po ashtu tha se ky është një lokalitet i rëndësishëm: “është një prej lokaliteteve shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe në këtë kuadër jam shumë i interesuar, me autoritetet lokale të bashkëbisedojmë edhe për çështjen e pronave. Në të njëjtën kohë jemi të interesuar që bashkë me institucionet përkatëse që të formojmë edhe grupin punues  për Hartimin e Planit të Menaxhimit, jo vetëm për lokalitetin e Dresnikut po edhe shumë asete të tjera të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu unë si ministër do përkujdesëm që tu ndajmë buxhet shtesë të gjitha projekteve të cila sjellin rezultate në fushën e trashëgimisë kulturore ka thënë ministri Gashi. Në fund, ministri Gashi përgëzoi për punën e shkëlqyeshme arkeologët dhe të gjithë stafin e Ministrisë por edhe ekipet punuese në teren për një punë dhe për rezultate të jashtëzakonshme. Ndërsa, Elvis Shala, udhëheqës i projektit, fillimisht falënderoi ministrin Gashi dhe Ministrinë e Kulturës për financimin e projektit duke theksuar se ky është viti i shtatë që ky projekt financohet nga Ministria. “Nëse vazhdon ky intensitet i përkrahjes financiare nga Ministria, Dresniku ka me qenë një prej vendeve më të rëndësishme të vizituara për turistët që vijnë në Kosovë”, tha Shala. Ai po ashtu foli rreth lokalitetit duke thënë se “pjesa më e rëndësishme është Rezidenca e fundit të shekullit III dhe me gërmimet e deritashme e dimë për ekzistencën e murit ndërtues, Pallatit numër 1 dhe Pallatit numër 2. Vitet e ardhshme presim të zbulojmë edhe Stipadiumin, Horiumin dhe monumentet tjera përcjellëse. Ky ka qenë Pallat i Perandorisë Romake”. Po ashtu sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizitoi edhe Kalanë e Vuçakut në Drenas. Ministri Gashi tha se “ministria do të jetë e përkushtuar në maksimum që të mbështes të gjitha projektet që sjellin rezultate dhe suksese, dhe një nga to është procesi i punëve që po behën  në Kalanë e Vuçakut”. Ndërkaq profesori i Arkeologjisë, Shafi Gashi, tha se “me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës jemi duke bërë përpjekje që ky monument i trashëgimisë kulturore të kthehet në monument të turizmit kulturor”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …