Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi takoi mësuesit shqiptarë në Macerata të Italisë

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi takoi mësuesit shqiptarë në Macerata të Italisë, me rastin e festës vjetore që organizohet nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali. ,,Ishte një mundësi e mirë për t’i takuar, bashkëbiseduar dhe falënderuar nga afër këta patriotë të vërtetë për kontributin e tyre të çmuar, angazhimin e palodhshëm ndër vite, për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës dhe kujtesës sonë kombëtare në mendjet e të rinjve tanë në mërgatë” tha ministri Bytyqi. Për të dëshmuar se mësuesit tanë kanë një angazhim me vlerë dhe një mision fisnik në shërbim të të rinjve, në shërbim të atdheut, e që respektohen edhe institucionalisht, ishte edhe pjesëmarrja e nënkryetares së qytetit të Maceratës, znj. Stefania Monteverde, të cilën në emër të shtetit të Kosovës, e falënderova për gjithë mbështetjen e gjithë akterëve të këtij qyteti në dhënien në shfrytëzim të hapësirave të nevojshme dhe krijimin e kushteve tjera përcjellëse për zhvillimin e mësimit shqip në atë zonë. Padyshim, lajmi më i mirë që u dha në këtë organizim ishte që, nga ky vit mësimi i gjuhës shqipe do të organizohet edhe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata, lajm të cilin e dha drejtori i shkollës “Enrico Fermi”, z. Ermanno Bracalente, që pastaj edhe zyrtarisht e konfirmoi edhe nënkryetarja e qytetit, znj. Monteverde në një fjalë rasti. Gjithashtu, moment tjetër i mirë ishte edhe prania në këtë organizim dhe takimi me profesorin e nderuar arbëresh, njëherit një ndër piktorët më të mirë në Itali, z. Silvio Craia (Kraja), që ka krijuar vepra të shumta artistike duke mbledhur artistët më të mirë italianë në ekspozitat e tij, fitues i shumë çmimeve në pikturë, e gjithashtu themelues i Muzeut Qytetar të Maceratës. Një takim tjetër tejet i rëndësishëm ishte edhe takimi me rektorin e Universitetit të Camerinos në Itali, z. Claudio PETTINARI, me të cilin bashkëbiseduam dhe u dakorduam që shumë shpejt të nënshkruajmë një marrëveshje konkrete bashkëpunimi, ku ky universitet shtetëror me 7 shekuj histori, i themeluar në vitin 1336, do të ndajë 10 bursa për studentët nga Kosova, ku 5 do të jenë për studime bazike dhe 5 tjera për studime master dhe kryesisht në shkenca ekzakte. Në këtë organizim kaq të rëndësishëm gjatë gjithë kohës isha i shoqëruar edhe nga zv.ministri i Diasporës, z. Afrim Bekteshi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …