Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti në një vizitë zyrtare me ceremoni ushtarake ministren e Mbrojtjes së Francës, znj. Genevieve Darrieussecq. Ministri Berisha së bashku me ministren e Francës, znj. Darrieussecq kryesuan edhe takimin e përbashkët të dy delegacioneve, ku biseduan për bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Kosovës dhe Francës, MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Francës si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Fillimisht, ministri Berisha e falënderoi ministren Darrieussecq për bashkëpunimin dhe për ndihmën që Franca ka dhënë dhe po jep për Kosovën, dhe më pas e njoftoi mbi zhvillimet e përgjithshme në Ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me theks të veçantë për integrimin e gjinisë femërore dhe të komunitetit joshumicë në FSK, si dhe për gatishmërinë e FSK-së që të kontribuoj për paqen dhe sigurinë kudo që ka nevojë, në mënyrë që Kosova të jetë kontribuuese e paqes dhe sigurisë.
Gjithashtu, ministri Berisha i shprehu ministres të Mbrojtjes së Francës, znj Darrieussecq, interesimin për akademitë dhe shkollat ushtarake franceze, me qëllim të shkollimit dhe trajnimit të oficerëve dhe ushtarëve tanë atje. Ai po ashtu shprehu dëshirën për arritjen e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në të cilin do të konkretizoheshin aktivitetet e përbashkëta. Ndërsa, ministrja e Francës, znj. Genevieve Darrieussecq, pasi që shprehu falënderimin e saj për pritjen, i përgëzoi ministrin Berisha dhe komandantin e FSK-së gjeneral Ramën për të arriturat e përgjithshme të FSK-së.
Znj. Genevieve Darrieussecq nder të tjera tha se “ rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë i rëndësishëm për Francën, dhe në vazhdimësi jemi krenarë që kemi kontribuar për vendin tuaj. Franca është e kënaqur me të arriturat e vendit tuaj për të ecur përpara. Bashkëpunimi ndërmjet nesh do të vazhdoj të intensifikohet në të ardhmen. Atasheu ushtarak i sapo akredituar për Kosovën do të jetë urë lidhëse ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Francës dhe Ministrisë së FSK-së”.
Në fund, të dy ministrat u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes për të dyja vendet.