Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka kundërshtuar akuzuat e opozitës sa i përket keqpërdorimit të buxhetit dhe mungesës së investimeve kapitale, e po ashtu ka mohuar edhe akuzën për subvencionimin me rreth 250 mijë euro të vëllait të tij në një Organizatë Joqeveritare të caktuar, por edhe eksponentëve të tjerë të Vetëvendoshes. Në raportimin e tij në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MKRS për vitin 2023, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa ka akuzuar këtë ministri që në shumicën e pikave ka elemente të kryerjes së veprës penale.
Për këtë, ministri Çeku ka kundërshtuar se ka shkelje dhe kryerje të veprës penale. Kryetarja në këtë komision, Hykmete Bajrami ka thënë se në bazë të tabelës një pjesë e investimeve kapitale janë shndërruar në subvencione, për çfarë tha se ligji i buxhetit nuk e lejon një gjë të tillë. Mes tjerash, ka përmendur edhe rastin e shpërndarjes së subvencioneve në vitin 2024, në të cilën tha se ministri ka dhënë subvencion rreth 250 mijë euro vëllait të tij në një Organizatë Joqeveritare.