Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci iu ka drejtuar me një letër zyrtarëve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai është shprehur i entuziazmuar për fillimin e udhëheqjes së këtij institucioni, teksa ka thënë se së bashku do të kontribuojnë në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke siguruar kështu sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Maqedonci në letrën e tij ka thënë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar për realizimin e objektivave. “Kemi arritur në këtë pikë përmes punës tonë të pandërprerë e të palodhshme, por gjithashtu edhe bashkëpunimit me NATO-n, me shtetet aleate dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, është thënë në letrën e ministrit Ejup Maqedonci.
