Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina është marrë pas sjelljes së këtyre dy vendeve në raport me Kosovën. “Tash e 18 vjet pas luftës në Kosovë dhe dhjetë pas shpalljes së pavarësisë Serbia dhe Bosnja, çdo ditë krahas asaj që nuk e kanë njohur pavarësinë kanë tentuar ta vështirësojnë çdo ditë zhvillim ekonomik të Kosovës. Hapat e tyre kanë qenë ata që janë drejtuar kundër nesh dhe kemi qenë të detyruar të vendosim masa si përgjigje, në radhë të parë ndaj Serbisë por edhe ndaj Bosnjës”, ka thënë Shala për “AlJazeera”, ku ka qenë mysafir edhe ministri i Tregtisë së Bosnjës, Mirko Markoviq dhe Nenad Gjurxheviq nga Oda Ekonomike e Serbisë. “Kjo është arsyeja e vendosjes së taksës. Duhet pasur parasysh se edhe me rastin e importimit të mallrave nuk mund të ketë mbishkrime “Kosova e Metohia”. Shala ka thënë se derisa të ekzistojnë shkaqet për të cilat është vënë taksa ajo nuk do të hiqet. “Pajtohem me atë që ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj se kjo taksë do të jetë në fuqi derisa nuk evitohen të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohemi. Duhet ta dinë edhe Serbia edhe Bosnja se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik dhe ne duam të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje”, u shpreh ai. Ministri ka përmendur poashtu se as Serbia dhe as Bosnja nuk kanë pasur trajtim të duhur për mallin nga Kosova, që siç ka shtuar nuk ka lëvizur i lirë dhe ndaj tregtisë kosovare janë vendosur barriera.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …