Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, ka pritur në takim delegacionin e Fondit të Ballkanit Perendimor të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Vishegradit, Andor F.David. Pjesë e delegacionit ishin edhe Ambasadori i Hungarisë, Lazlo Markuz, Koordinatori i Mardhënieve Strategjike të Fondit të Vishegradit, Jiri Sykora, di dhe Zëvendës shefi i Misionit nga Ambasada Hungareze, Bela Bozsik. Pacolli ka kërkuar nga përfaqësuesit e Fondit të Ballkanit Perëndimor që të rritin kontributet financiare të Fondit nga vet shtetet anëtare. Sipas ministrit me këtë do të shtohej edhe më tepër vizibiliteti i Fondit dhe dobia për përfituesit e projekteve nga Shoqëria Civile të këtyre shteteve.
Nga ana tjetër delegacioni i Fondit të Ballkanit Perëndimor ka përkrahur objektivin kryesor të ministrit Pacolli, që është ngritja e kontributeve financiare nga shtetet anëtare. Ky takim u mbajt në vazhdën e takimeve rajonale të Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku delegacioni ditë më parë ka zhvilluar takime në Beograd dhe Podgoricë, kurse do të zhvilloj takime në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë. Fondi i Ballkanit Perëndimor është një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga qeveritë e Palëve Kontraktuese të BP6: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi. Objektivi kryesor i Fondit është të nxisë bashkëpunimin midis pjesëtarëve, te fuqizojë marrëdhëniet dhe kohezionin rajonal, si dhe te nxisë e promovojë integrimin në Bashkimin Evropian.