Gjatë vizitës në Mal të Zi me rastin e Takimit Ministror Shtetet e Bashkuara– Karta e Adriatikut të grupit A5, ministri i Punëve të Jashtme të Meqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, si dhe me kryeministrin, Dritan Abazoviq. Gjatë takimeve u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, aktivitetet në lidhje me NATO Aleancën, si dhe sfidat e përbashkëta që lidhen me negociatat e dy vendeve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Në takimin, që u mbajt në Podgoricë, u diskutua edhe për rrethanat gjeopolitike në nivel ndërkombëtar, me fokus të veçantë për agresionin rus ndaj Ukrainës dhe pasojat e mundshme, në rajon. Ministri, Bujar Osmani iu referua edhe prioriteteve dhe aktiviteteve të planifikuara të Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimit të ardhshëm me OSBE-së në vitin 2023, duke theksuar situatën në Ukrainë dhe rikthimin e paqes e stabilitetit në terren, si sfidat më të rëndësishme për Organizatën gjatë vitit të ardhshëm, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
