leoni

MINISTRI I INFRASTRUKTURËS, PAL LEKAJ, VIZITOI ZONËN E SHALËS SË BAJGORËS

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi zonën e Shalës së Bajgores, me ç’rast u ndal në fshatin Kaçandoll, ku u njoftua për së afërmi me gjendjen e infrastrukturës rrugore, si dhe me potencialet e këtij rajoni për zhvillimin e disa degëve të ekonomisë si: turizmit, hotelerisë, blegtorisë, bletarisë e të tjera, për të cilat bisedoi edhe me qytetarë të kësaj ane.

Me rastin e qëndrimit në Shalë, ministri Pal Lekaj deklaroi: “Sot jemi bashkë me bashkëpunëtorë në rajonin e Shalës së Bajgores, që numëron 47 fshatra dhe që ka një gjatësi të madhe të infrastrukturës. Prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës do të jetë trajtimi i infrastrukturës rrugore me standarde, që do të ketë impakt të mirë në zhvillimin ekonomik – në turizëm, blegtori etj., por që do të ketë qasje më të lirshme edhe për të gjithë qytetarët. Ajo që zotohem unë bashkë me bashkëpunëtorët e mi është se ne do t’u japim prioritet këtyre segmenteve rrugore, që kanë impakte pozitive në zhvillimin e turizmit. Është për të ardhur keq se si nuk është zhvilluar turizmi në këto anë, ku ka bukuri të rralla natyrore. Mendoj që kjo është dashur të ketë trajtim më të mirë, mirëpo ne do të fokusohemi në atë që kjo pjesë të zhvillohet më shumë, sidomos turizmi, që do të ndikojë në ngritjen e standardit të këtyre njerëzve që jetojnë në këtë zonë”. Gjatë kthimit nga Shala e Bajgores, ministri Lekaj vizitoi stacionin e autobusëve në Mitrovicë, drejtuesit e të cilit e informuan për gjendjen e kësaj ndërmarrjeje publike e në veçanti me gjendjen dhe me problemet që ekzistojnë në lëmin e transportit publik të udhëtarëve, siç janë transportuesit ilegalë e të tjera. Duke iu përgjigjur interesimit të drejtuesve të stacionit të autobusëve të Mitrovicës, ministri Lekaj Tha: “Ne erdhëm të bashkëbisedojmë, që të kuptojmë se çka mund të bëjmë ne si ministri për ju brenda përgjegjësive dhe kompetencave tona. Unë e di që pas shndërrimit të stacioneve të autobusëve në ndërmarrje publike, ato si prona u takojnë komunave, por kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë nga to dhe t’i lëmë në mëshirën e fatit. Unë sot morra një pasqyrë reale se si funksionon ky stacion dhe kemi marrë parasysh kërkesën tuaj që departamenti i inspektoratit të MI-së të jetë më aktiv këtu. Ne do të bashkëbisedojmë me kryetarin e komunës që të kemi një bashkëpunim me transportin urban dhe të gjejmë një formë që të ndalojmë transportuesit ilegalë. Bashkëbiseduesit e falënderuan ministrin Lekaj për vizitën dhe për kujdesin që është duke e treguar për zgjidhjen e problemeve të transportit, e në kuadër të kësaj edhe të problemeve që ekzistojnë në stacionin e autobusëve të qytetit të Mitrovicës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …