leoni

Ministri Krasniqi kërkon nga bizneset austriake të investojnë në sektorin e bujqësisë

Në kuadër të Forumit të Tregtisë dhe Investimeve, organizuar nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë, nga Kosova morën pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ministrat, Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami, Enver Hoxhaj, Blerand Stavileci, Avdullah Hoti dhe Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka prezantuar para bizneseve austriake në Vjenë potencialin që ka bujqësia në Kosovë. Ai në fjalën e tij prezantoi të arriturat dhe sfidat në bujqësi si dhe mbështetjen që Qeveria e Kosovës ka dhënë ndër vite. Bujqësia sipas tij është një ndër prioritet kryesore të qeverisë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

“Natyrisht se ne jemi vend i vogël me territor dhe popullatë dhe për dike edhe mund të duket e pafavorshme. Por ne kemi ende tokë që pret të punohet që ka mjaftë potencial dhe gjithashtu kemi një popullatë të re të gatshme për punë”, tha nder të tjera ai para përfaqësuesve të bizneseve.

Ministri Krasniqi theksoi se duke parë potencialin që ka bujqësia në ekonominë e vendit, janë rritur dukshëm investimet nga shteti.

“Vitin e kaluar 43 milionë euro i kemi ndarë për fermerët dhe agrobizneset. Këtë vit kemi planifikuar 46 milionë euro, dhe po flas vetëm për buxhetin e ministrisë, pa përmendur edhe buxhetet që ndajnë komunat. Ky buxhet përben gati 5 % të buxhetit total të vendit. Vitin e kaluar vetëm me buxhetin tonë kemi siguruar 2500 vende të reja pune e sivjet presim të punësohen rreth 3000”, theksoi ministri.

Ai theksoi edhe disa nga nën sektorët më me potencial në vend, e për të cilat tha se rezultatet janë mjaftë të mira.

“Pemët, perimet, qumështi dhe mishi mbeten sektorët potencial për Kosovën dhe mendoj se mund të jemi edhe më shumë në tregun evropian, aq më tepër tash që kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asocim”, ka thënë ministri duke shtuar se janë mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova që përfitojnë nga kjo marrëveshje duke iu hequr tarifat doganore.

Krasniqi theksoi se ka një rritje të eksportit të prodhimeve bujqësore, por prioritet kryesor mbetet zëvendësimi i importit për shumë produkte bujqësore që prodhohen në Kosovë dhe kanë cilësi. Duke theksuar potencialin në këta sektorë, nevojën për prodhim edhe më të madh ministri Krasniqi ftoi bizneset austriake që të konsiderojnë mundësitë për investime në Kosovë në sektorin e bujqësisë. Përveç tjerash ai theksoi se Qeveria e Kosovës po punon në një agjendë që do të krijojë më shumë mundësi për investime. Në këtë drejtim ai përmendi planin që mbi 20 mijë hektarë tokë bujqësore e pa privatizuar të dalë në pronësi të Qeverisë dhe që ajo më pas të jepet për investime strategjike në këtë sektor.

Ministri Krasniqi veçoi disa nga sfidat që përballet bujqësia në Kosovë, siç është mungesa e sistemeve të ujitjes, fragmentarizimi i tokave dhe infrastruktura e mangët rurale. Në këtë drejtim po punohet edhe me donatorë ndërkombëtarë që të bëhen investime të mëdha në mënyrë që të ketë një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme. Ministri Krasniqi tha në fund të fjalës së tij se Qeveria e Kosovës, por edhe ai personalisht, do të jenë të gatshëm të ndihmojnë çdo investitorë, duke eliminuar burokracinë dhe qasjen në çdo aspekt tjetër që lidhet me funksionimin e bizneseve.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …