leoni

Ministri Kujtim Gashi prezantoi prioritetet strategjike të MKRS-së në komisionin parlamentar për vitin 2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në takimin me Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku diskutoi për buxhetin e MKRS-së për vitin 2018. Ministri Gashi para komisionit në fjalë prezantoi planifikimin buxhetor të ministrisë për vitin e ardhshëm i cili për dallim nga viti paraprak shënon rritje prej 17.4% duke arritur vlerën e mbi 34 milion eurove. Në shpenzime kapitale do të ketë rritje të buxhetit për 17% nga viti që po lëmë pas, në një vlerë prej rreth 19.8 milion euro ose 58% e buxhetit të përgjithshëm të ministrisë, paga dhe mëditje 4.3 milionë ose 13%, mallra dhe shërbime rreth 1.3 milionë apo 4%, subvencione dhe transfere rreth 8 milionë ose 24% të buxhetit dhe shpenzime komunale rreth 400 mijë euro apo shprehur në përqindje në 1% të buxhetit. Ministri, ndër të tjera, foli edhe për prioritetet strategjike të ministrisë, ndër kryesoret: mbështetjen, masivizimin, zhvillimin e sportit cilësor dhe ngritjen e infrastrukturës sportive sipas standardeve ndërkombëtare; përkrahjen dhe ngritjen e kulturës së pavarur si dhe avancimin e diplomacisë kulturore; fuqizimin e rinisë në proceset zhvillimore, kujdesin dhe sigurinë për shëndetin e rinisë, krijimin e mundësive për punësimin e tyre; qasjen e integruar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen dhe parandalimin e dëmtimit të saj, planifikimin, projektimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e komplekseve memoriale me rëndësi të veçantë dhe themelimin e Inspektoratit të Trashëgimisë së Kosovës, hap të cilin Kosova po e bën për herë të parë. Po ashtu ministri i përgjigj në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ministri i informoi anëtarët e këtij komisioni i cili kontrollon punën e ministrisë, për planin legjislativ që ka ministria për vitin e ardhshëm, ku ndër to pritet të hartohen akte që përmirësojnë dhe plotësojnë infrastrukturën ligjore për fushat që ka në përgjegjësi ministria.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …