Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi. Në këtë takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Italisë dhe Kosovës në gjitha fushat dhe u shpreh nevoja që ato të intensifikohen me bashkëpunim të ndërsjellët kulturor.
Ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi, e falënderoi ministrin Shala për pritjen, dhe u shpreh se kjo vizitë bëhet në kuadër të vizitave njohëse me Institucionet e Kosovës, dhe shtoi se MKRS-ja është shumë e rëndësishme për një vend si Italia, që është një fuqi e madhe e kulturës.
Ai më tej u shpreh se ndërmjet dy vendeve ka marrëdhënie të shkëlqyeshme në gjitha fushat, duke shtuar se është në interes që në fushën e kulturës marrëdhëniet të avancohen në një nivel më të lartë.
Ministri Shala e përgëzoi ambasadorin Piero Cristoforo Sardi për funksionin e ri në Kosovë, dhe u shpreh se bashkëpunimi me Italinë është shumë i mirë dhe mund të intensifikohet më shumë, duke shtuar se ky bashkëpunim është shumë i dobishëm për Kosovën, sepse ne kemi më shumë nevojë për Italinë, që të përfitojmë nga përvojat e saj në fusha specifike të kulturës.
Ministri Shala më tej u shpreh se MKRS-ja ka iniciuar procedurat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor me Italinë, dhe ky akt do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, ministri Shala shtroi nevojën që Kosova të përfitojë nga Italia në fushën e kulturës, të trashëgimisë kulturore, të restaurimit dhe të filarmonisë, sektorë këto të rëndësishme, ku përvoja e Italisë do të ishte tejet e dobishme.