Ministri Lekaj më bashkëpunëtorë e vizituan komunën e Deçanit dhe atë të Junikut

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj më bashkëpunëtorë, e vizituan komunën e Deçanit dhe atë të Junikut, ku u njoftuan për së afërmi nga krerët e të dy komunave, lidhur me dëmet e shkaktuara pas rrëshqitjeve të dheut që kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të fundit të shiut. Ministri Lekaj gjatë kësaj vizite ka nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe atë të Junikut Agron Kuçi, në kuadër të kornizës së bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me komunat në projektet e tyre. Ministri Lekaj dhe kryetari Ramosaj, në një adresim për media, kanë ripohuar rëndësinë e bashkëpunimit mes organeve të pushtetit qendror me ato lokale. Ministri i Lekaj, tha se ministria e Infrastrukturës do ta mbështes Deçanin në projekte të cilat kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve e në zhvillimin e turizmit. “U zotuam që do ta mbështesim fuqishëm Deçanin në projektet lokale që kanë impakt pozitiv për zhvillimin ekonomik, por edhe për zhvillimin e turizmit. Ne bëmë marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Deçanit dhe u zotuam që këto projekte nuk do të stërzgjaten. Do të jemi të saktë dhe me kohë në përfundimin e tyre. Lajmi i mirë për Deçanin është edhe fillimi i rrugës Deçan – Plavë, që është segment i rëndësishëm i lidhjeve të korridoreve dhe lidhjeve në mes të dy shteteve, Kosovë – Mali Zi. Për Deçanin po vijnë ditë të mira, dhe zotohemi që do të jemi mbështetës të fuqishëm në zhvillimin e kësaj treve”, tha Ministri Lekaj. Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se në takimin me ministrin Lekaj, u fol për projekte të cilat ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës së Deçanit. Ministri Lekaj ka vizituar edhe komunën e Junikut, ku u prit nga i pari i kësaj komune Agron Kuçi. Lekaj u njoftua lidhur me dëmet që i janë shkaktuar kësaj komune nga vërshimet e fundit dhe rrëshqitjet e dheut në rrugën që e lidhë Junikun me fshatin Gjocaj. Ministri Lekaj, dhe kryetari Kuçi, pasi nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit, vizituan edhe rrugën në Gjocaj, ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut dhe ka dëmtuar rrugën e cila është duke u punuar. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, në një pronocim për media ministri Lekaj tha: “Ne si Ministri e Infrastrukturës, kemi marrë përsipër jo vetëm për të shtruar një rrugë, por në bazë të fizibilitetit këto projekte do të kenë impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik. Për më tepër, kjo rrugë do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit, vlerat fillestare të këtyre projekteve janë 810 mijë euro dhe shpresoj se kjo anë do ta merr kahjen e zhvillimit dhe një trajtim çfarë ka kërkuar kryetari dhe qytetarët, sepse në të kaluarën janë ndërtuar rrugë e projekte, por nuk kanë pasur ndonjë impakt në zhvillimin ekonomik, apo zhvillimin e turizmit.  Komuna e kishte analizuar  edhe gjendjen pas motit të ligë dhe mendoj se në këtë drejtim e kishte saktësuar edhe shumën, diku 375 mijë euro dëme, që mendoj se kjo do të shikohet nga qeveria, nga fondi rezervë dhe mendoj që do të jemi përkrahës të këtyre komunave që kanë pësuar nga vërshimet”, tha Ministri Lekaj. Kurse, nikoqiri i këtij takimi, kryetari Kuçi, duke e falënderuar ministrin për përkushtimin ndaj kësaj treve deklaroi: “Sapo nënshkruam marrëveshjen me ministrin Lekaj, për trajtimin e rrugës Junik-Gjeravicë, aksin e parë, që përfshinë Junikun, fshatin Jasiq dhe Gjocaj, projekt që do të vazhdoi deri në bjeshkë të Gjeravicës. Kjo rrugë paraqet edhe projektin më strategjik, sepse me ndërtimin e rrugës, zhvillohen mundësitë edhe për zhvillimin e turizmit, e që është objektivi kryesor për zhvillimin ekonomik të komunës”, tha Kuçi.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …