Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka njoftuar se në vazhdën e zhvillimeve pas ndalimit të qarkullimit rrugor në rrugën nacionale N 2, Kaçanik-Hani i Elezit, në koordinim të plotë edhe me Ministrinë e Financave, është marrë vendim që pika doganore të zhvendoset në pikën kufitare të Glloboçicës. Ai duke njoftuar se është konsultuar edhe me ministrin për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë, me të cilin kanë rënë dakord që të mbetet e hapur mundësia e një takimi për koordinim sa më të mirë të menaxhimit të kësaj situate të përkohshme, ka thënë se kanë biseduar edhe me dy ambasadorët e shteteve respektive që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë që të mundet. Tutje Lekaj ka thënë se krejt këto veprime po bëhen për të evituar kolonat dhe pritjet e gjata për transportuesit e mallrave dhe qytetarëve.
“Në vazhdën e zhvillimeve pas ndalimit të qarkullimit rrugor në N 2, segmenti Kaçanik – Hani i Elezit, në koordinim të plotë me ministritë e linjës, Ministria e Financave e Kosovës ka marrë vendim që të zhvendosen përkohësisht dogana në pikën kufitare “Glloboçicë”, kjo për faktin që të mos krijohen kolona dhe pritje të gjata për transportuesit e mallrave dhe qytetarëve. Sot kam biseduar me ministrin për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë, Goran Sugareski, me të cilin mbeti e hapur mundësia e një takimi për të qenë sa më të koordinuar në të dyja anët e kufirit, kemi biseduar me ambasadorët, atë të Maqedonisë në Kosovë dhe të Kosovës në Maqedoni, për të qenë në koordinim të plotë dy vendet tona, në mënyrë që kjo situatë e përkohshme të menaxhohet sa ma mirë të jetë e mundur. Për çdo zhvillim do të jemi bashkë në krye të detyrës më gjitha kapacitetet tona ministrore që të tejkalohet kjo situatë, aspak e dëshirueshme, por mëse e nevojshme për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion”, ka shkruar ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.