Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj. Në një takim të rregullt pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, ministri, Lekaj përveç tjerash ka diskutuar edhe për sigurinë e aviacionit civil. Ai kërkoi nga Drejtori Gjonbalaj zbatimin e standardeve të sigurisë së aviacionit civil në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës. Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, ia konfirmoi edhe një herë ministrit Lekaj, se siguria e aviacionit civil është në nivel me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Republika e Kosovës i zbaton me përpikëri të gjitha kërkesat që dalin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët të Aviacionit (MHPA), lidhur me sigurinë e aviacionit civil.
