Ministri Lekaj vizitoi komunën e Therandës dhe atë të Rahovecit

Ministri i Infrastrukturës, vizitoi komunën e Therandës dhe atë të Rahovecit. I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ministri Lekaj u takua me kryetarët e këtyre komunave, ku diskutuan për planet infrastrukturore dhe aktivitetet e parapara në infrastrukturë në Suharekë dhe Rahovec, e të cilat u finalizuan me nënshkrimin e marrëveshjeve bashkëpunuese ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Gjatë vizitës në komunën e Therandës, i pritur nga udhëheqësi i kësaj komune, Bali Muharremaj, ministri Pal Lekaj shprehu mirëkuptim dhe mbështetje drejtuar kryetarit dhe qytetarëve të Therandës. Në fjalimin e tij adresuar mediave, ministri Lekaj u zotua se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e fuqishme e Therandës, në mënyrë që të gjitha projektet infrastrukturore të implementohen me kohë dhe brenda rregullave ligjore. Vizita pasuese iu bë komunës së Rahovecit. Aty ministri Lekaj u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Smajl Latifi. Njëjtë sikurse çdo komunë e Republikës së Kosovës edhe Rahoveci mori përkrahjen e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës, sa i përket projekteve infrastrukturore dhe realizimit të tyre. Pas takimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me kryetarin e Rahovecit, në prezencën e mediave, ministri Lekaj tha: “Në bisedime me kryetarin Latifi, u dakorduam që Ministria e Infrastrukturës t’i mbështet shumë projekte lokale, që kanë një domethënie për qytetarët dhe për Rahovecin. Ne si në çdo komunë tjetër edhe kësaj here u zotuam se do të jemi mbështetës të këtyre projekteve ekzistuese që janë në procedurë, por edhe të projekteve të tjera. Duke falënderuar ministrin Pal Lekaj, kryetari Smajl Latifi, këtë mbështetje nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, e vlerësoi si ndihmesë shumë të madhe, pasi kjo ndihmë sipas tij, do t’i ndihmojë shumë komunës së Rahovecit që të ketë një përmirësim të gjendjes në infrastrukturë, duke shpresuar kështu, që edhe në të ardhmen të vazhdojë një mbështetje e tillë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …