Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa morën pjesë në përurimin e fillimit të punimeve në tri rrugë, me të cilat vazhdon realizimi i planit të aktiviteteve të përbashkëta të Ministrisë së infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt për këtë vit. Projekti i parë, fillimi i realizimit të të cilit u përurua sot dhe që do të ndërtohet në bashkëfinancim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt është rruga Mirashë-Cërnillë, që ka gjatësi prej 9 kilometrash. Vlera kontraktuese e kësaj rruge, e cila përfshinë edhe trotuarin, kanalizimin atmosferik, sinjalizimin dhe ndriçimin, kap shumën prej 1,207,344.45 eurosh.
Projekti i dytë, realizimi i të cilit u inaugurua sot, është zgjerimi i rrugës Komogllavë-Tërstenik, që shtrihet në dy komuna – Ferizaj dhe Viti dhe që ka gjatësi prej 13 kilometrash, vlera e të cilit është 1,089,590.61 euro. Duhet cekur se pjesa e kësaj rruge, që shtrihet në komunën e Ferizajt, ka gjatësi prej 6.5 kilometrash, sa është e gjatë edhe gjatësia e pjesës që i takon Komunës së Vitisë. Në kuadër të aktiviteteve të sotme, ministri Zharku dhe kryetari i Komunës, Sfarqa, përuruan edhe fillimin e ndërtimit të rrugës Greme-Burrnik-Gaçkë. Kjo rrugë do të këtë gjatësi prej 9,8 kilometrash, ndërsa vlera e tërësishme e realizimit të këtij projekti është 1,426,283.50 euro.