Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se ka vendosur pezullimin e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të “Postës së Kosovës” me arsyetimin se nuk është respektuar Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Deklarata e plotë e Ministrit Nitaj:
Në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, e cila është aksionar në Ndërmarrjen “Posta e Kosovës”, dhe me rekomandim të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, kam kërkuar pezullimin e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të “Posta e Kosovës”.
Ndër arsyet kryesore të kërkesës për pezullim ka qenë fakti se nuk është respektuar neni 15.1 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku thuhet se të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike, zgjedhën në një mandat trevjeçar, ndërkohë që Bordi ka marr vendim që kryeshefi ekzekutiv, që njëkohësisht është anëtar i Bordit të Drejtorëve, të zgjidhej në mandat pesëvjeçar.
Arsyeja tjetër është se Qeveria në detyrë është në përfundim të mandatit të saj dhe është më se e arsyeshme që Qeveria e re të procedojë me emërimet e reja të drejtuesve të ndërmarrjeve publike.
Për më tepër Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, muaj më parë ka kërkuar në vazhdimësi nga bordet e përkohshme, që të mos procedohet me rekrutimin dhe përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike.