Përderisa vetëm në muajin e fundit kanë ndodhur dy raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ngritur sot këtë shqetësim se kjo dukuri është duke u rritur në krahasim me vitet e kaluara, shkas i mos zbatimit të ligjeve në fuqi dhe lëshimeve nga ana e Inspektoratit të Punës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se do të angazhohet që siguria në punë të jetë ashtu siç kërkohet, duke shtuar kontrollin ndaj Inspektoratit të Punës. Sipas tij, vdekjet e fundit, si ajo në punishten e kompanisë “Bechel Enka” në Kaçanik dhe tjetra në Llaushë të Skënderajt, të cilat kanë qenë një fatkeqësi për shtetin, sepse nuk mjaftojnë vetëm ngushëllimet për familjarët e tyre. Këto komente Reçica i ka bërë gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, dhe Mirëqenie Sociale sot ka raportuar ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica lidhur me prioritetet dhe sfidat e Ministrisë, i cili garantoi se do të bëjë një kontroll të rreptë ndaj Inspektoratit të Punës për punë e tyre në terren, ngase mund të ketë edhe lëshime për mungesën e kushteve të sigurisë në vendin punës.
“Një njeri të shkojë në punë dhe të mos i kthehet familjes shëndosh e mirë, është një fatkeqësi për shtetin. Nuk mjaftojnë ngushëllimet për familjet, nuk mjafton as një mbështetje, sepse nuk i kthehet familjari më familjes. Mirëpo, si ministër do të angazhohem maksimalisht që siguria në punë për të gjithë punonjësit në Kosovë të jetë në nivelin çfarë duhet me qenë. Pikërisht për këtë në kuadër të objektiveve dhe prioriteteve tona kemi vu theks të veçantë në fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës për ngritjen e kapaciteteve, në shtimin e inspektorëve, por jo vetëm kaq, ne si ministri do të shtojmë kontrollin ndaj inspektoratit”, deklaroi ministri Reçica.