Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme rreth zbatimit të MSA-së. Sefaj tha se për vitin 2017 ka planifikuar gjithsej 98 masa në kuadër të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së. Sipas tij nga 98 masa, janë realizuar 77 masa, derisa 21 masa tjera janë në realizim e sipër. Deputeti Rexhep Selimi tha se duhet ta dinë se cilat janë sfidat që po përballen në zbatimin e MSA-së. Por ministri Sefaj tha se kanë stagnime me aktet ligjore dhe nënligjore. Megjithatë ai i quajti teknike. Deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili pyeti ministrin se pse ka me shumë raste të inicuara nga Policia dhe shumë pak aktakuza të ngritura nga Prokuroria.
Por Rashit Qalaj nga Policia e Kosovës tha se ka disproporcion mes padive të ngritura nga Policia por se prokurori vendos për ngritjen e aktakuzës apo jo. Ministri Sefaj kërkoi nga deputetët që ta ndihmojnë në miratimin e Projektligjit për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë, i cili parasheh që rreth 2 mijë pjesëtarë brenda tri viteve të dalin në pension. Sefaj tha se këtë projektligj e ka bllokuar FMN-ja pasi sipas tyre ka kosto të madhe financiare. Ai shprehu shqetësimin edhe rreth policëve që ruajnë objektet qeveritare. Sipas tij janë rreth 600 pjesëtarë që janë të angazhuar në ruajtjen e objekteve institucionale. Ministri Sefaj ka raportuar edhe për imlementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë që i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme.