Ministri Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, po merr pjesë në Forumin Ministror Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Qëllimi i kësaj konference është që të diskutohen arritjet, si dhe sfidat me të cilat Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor ballafaqohen në fushat e kontrabandimit me migrant, procesit të monitorimit të lëvizjes së lirë në zonën Schengen, sfidave nga terrorizmi dhe radikalizmi, trafikimi me armë dhe krimit trans-nacional.
Ministri Sefaj theksoi progresin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit. Sipas një komunikate të MPB-së, Sefaj theksoi se ky fenomen në rritje është dëshmi e nevojës për rritjen e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ato të Bashkimit Evropian, për të luftuar krimin e organizuar që lidhet me kontrabandimin me migrant në veçanti. Sefaj nënvizoi nevojën e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim strategjik me EUROPOL-in, me ç’rast do ta lehtësonte dhe fuqizonte edhe më tej bashkëpunimin ndërkombëtar për t’i luftuar me sukses sfidat e krimit të organizuar dhe terrorizmit.